Për rreth 1 orë, Presidenti Ilir Meta ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë, ku është diskutuar mbi situatën në Ukrainë, në një kohë ku konflikti me Rusinë ka precipituar ndjeshëm, ndërsa SHBA ka paralajmëruar për një pushtim të mundshëm brenda pak ditësh. Presidenti Meta dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Kombëtare konfirmuan se, Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.
Presidenti Meta theksoi në mbledhje se është e domosdoshme mbajtja e kontakteve me qytetarët shqiptarë në Ukrainë, ndërsa ka nënvizuar edhe marrjen e masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike dhe garantimin e rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në rajonin tonë.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ishin të pranishëm 14 anëtarët, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ministri i Punëve të Brendshme, Bledi Çuçi, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano, kreu i komisionit të Sigurisë Nasip Naço dhe prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela. Në mbledhje nuk ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka pasi prej ditës së djeshme ndodhen në SHBA ku do marrin pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB. Në vend të Ramës ishte i zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe në vend të Xhaçkës ishte zv.ministrja e Jashtme Megi Fino.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë vjen 3 ditë pasi Meta zhvilloi një takim me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj, po për situatën në Ukrainë.
Ndërkohë Ministria e Jashtme ka rikonfirmuar edhe njëherë sot pozicionin e Shqipërisë mes konfliktit Rusi-Ukrainë. Me një postim në Twitter, Ministria bën me dije se vendi ynë mbështet sovraniteti dhe integritetin territorial të Ukrainës. Po ashtu i bëhet thirrje Rusisë që të de-përshkallëzojë konfliktin dhe të zgjidhë situatën në mënyrë diplomatike.
“Në këtë situatë të vështirë dëshirojmë të riafirmojmë edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne ripërtërijmë thirrjen tonë që Rusia të de-përshkallëzojë dhe të zgjidhë situatën në mënyrë diplomatike”, thuhet në postim.
Kujtojmë se vetëm 2 ditë më parë, Ministria e Jashtme i bëri thirrje shqiptarëve që janë në Ukrainë që të largohen sa më parë, duke marrë parasysh rrezikun e përshkallëzimit të situatës. Edhe SHBA dhe Britania e Madhe i kanë bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen sa më shpejt nga Ukrainë, pasi në rast fillimi lufte do e kenë të pamundur evakuimin e tyre.
Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë në kulmin e tyre, teksa Kievi ka kërkuar që prej ditës së djeshme një takim me Rusinë brenda 48 orëve për të shpjeguar rritjen e numrit të trupave në kufi, megjithatë nuk ka marrë ende një përgjigje.
Rusia, e cila ka më shumë se 100.000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, mohon akuzat perëndimore se mund të planifikojë të pushtojë ish-fqinjën e saj sovjetik. Franca, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s kanë refuzuar kërkesat e Moskës për të përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën perëndimore të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.