Dy efektivë të policisë së Lushnjes u proceduan penalisht për skenat e dhunës të cilat u denoncuan nga Rudina Memaj me pamje fimike.
Ajo thotë se djali i saj Mateo Vila është arrestuar padrejtësisht, ndërsa pranon se ka hyrë me forcë në komisariatin e Lushnjes.
“U futa me dhunë në polici është e vërtetë, nga dritarja, nga nervozizmi i tepërt kur pashë djalin që ma kishin mbyllur pas hekurave në një portë, kur djali im ishte i gjakosur nga koka te këmbët.”
Një ditë më parë Policia e Shtetit tha se Mateo Vila kishte thyer masën e sigruisë “arrest shtëpie” dhe ishte konfliktuar me fqinjët, gjë që e konfirmon edhe e ëma e 21-vjeçarit, por sipas versionit të saj kanë qenë fqinjët që e kanë dhunuar djalin.
“Të dy të droguar, komshinjtë e mi i kanë gjuajtur çunit me shkop bejzbolli dhe duke i treguar një lopatë dhe kazmë që do ta vrisnin dhe varrosnin. Arsyen nuk e di pse.”
Policia njoftoi se është proceduar penalisht edhe fqinji i familjes, i cili ka dhunuar 21-vjeçarin, ndërsa ky i fundit ka shkelur masën e sigurisë duke dalë nga banesa.
Në lidhje me videon ku shihen dy efektivë teksa nxjerrin zvarrë nga komisariati Rudina Memën, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësit e Policisë F. H., me detyrë specialist informaconi dhe Sh. S., oficer i patrullës së përgjithshme, si dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur menjëherë hetimin disiplinor.