Kryedemokrati Lulzim Basha në një dalje për mediat sot i bëri thirrje SPAK-ut se të mos presë që të japë dorëheqjen ministri i radhës, por se duhet t’ia vënë prangat në ministri.
Ai theksoi se duhet të vazhdohet procesi i hetimit, pasi një gjë të tillë e duan gjithë shqiptarët lidhur me atë që e quan si aferën më të madhe të 30 viteve të fundit.
Ai shtoi se kryeministri Edi Rama të shkojë nga Honoluluja e në Arktik, por do të dëshmojë në komision hetimor lidhur me incineratorët.
Basha: I pari që drejtësia të mos funksionojë është Edi Rama. Situatë është si Kolumbia në ditët më të zeza. Njerëzit e përfshirë në këtë aferë, dy ministra janë në burg, ndërsa dy emra janë në kërkim. Vijimi i punës së komisionit dhe thirrja që i bëra SPAK-ut nuk është në funksion të komunikimit me ju, por dua ta them qartë se kjo thirrje është që të mos presin që të japë dorëheqjen ministri i radhës, por vijani prangat në ministri.
Mos prisni që të japë dorëheqjen kryebashkiaku i radhës, por vijani prangat në zyrë! Të vazhdohet procesi sipas ligjit dhe do të keni në krah PD-në dhe gjithë shqiptarët, pasi u ka ardhur në majë të hundës me këtë aferë, sepse është zbuluar pisllëku më i madh i kësaj qeveria dhe se si janë zbuluar lidhjet politike e mediatike për t’i grabitur shqiptarëve të ardhmen. Edi Rama të shkojë nga Honoluluja e në Arktik, por do të dëshmojë në komision hetimor. Puna e komisionit do të nxjerrë emrat, por pastaj se cilën do të bëjë kurban Edi Rama, është në dorën e tij. Dita që ai do të japë llogari para drejtësisë për këtë aferë, mund të vonojë, por nuk do të mungojë.