Prapaskena

SPAK nis hetimet / Kompanitë e Janis Karathanos aktivitet kriminal në Spanjë, Manastirliu i dha mbi 100 milionë euro me një dorë

Publikuar: 12/02/2022

Oligarku greko-shqiptar Janis Karathanos, kompanitë e të cilit kanë dosje për aktivitet kriminal në Spanjë, ka marrë me një dorë mbi 100 milionë euro para publike nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe vartësit e saj në shëndetësi. Bëhet fjalë për koncesionin abuziv të laboratorëve në 18 spitale të Shqipërisë.

Dosja e kësaj afere është dorëzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në SPAK disa ditë më parë. KLSH-ja ka kallëzuar grupin e Manastirliut, i cili ka bërë letrat e koncesionit, duke shpallur në mënyrë të paligjshme fituese kompanitë e Janis Karathanos.

Në SPAK janë kallëzuar Raimond Cimbi, Silva Novi, Leonora Horanlliu, Ariola Krymi, Anjeza Alliu dhe Armila Ali, që të gjithë në komandën e Ogerta Manastirliu, klientëve të saj, sekserëve dhe disa deputetëve të korruptuar, të cilët do të dalin zbuluar në vijim.

Nuk dihet se sa para ka marrë ky grup për të firmosur letrat, por nuk ka dyshim se llokma e madhe është ndarë nga kokat e korrupsionit në shëndetësi. Tashmë SPAK ka një tjetër dosje të madhe korrupsioni në dorë. Kjo aferë është ndryshe nga të tjerat, jo vetëm për shkak të vlerës së madhe prej mbi 100 milionë euro, por për shkak se institucionet ndërkombëtare kanë qenë kundër që Janis Karathanos të fitonte këtë koncesion.

Dhe kjo është arsyeje e fortë se pse SPAK mund të dhe duhet të arrestojë fillimisht Ogerta Manastirliun dhe Janis Karathanos për vjedhjen e parave publike. Sipas burimeve, SPAK ka nisur hetimet dhe ka administruar dokumentacionin.

Sipas dosjes, Banka Botërore, në këtë rast në rolin e konsulentit të Ministrisë së Shëndetësisë, u ka kërkuar zyrtarëve të ministrisë dhe Manastirliut që të përjashtoheshin nga gara kompanitë e Janis Karathanos, Labopharma në Tiranë dhe AB Laboratory Solution BV në Holandë, të cilën e kontrollon përmes kompanisë Pegasus në Tiranë.

Sipas Bankës Botërore kompanitë e Janis Karathanos po hetohen për aktivitet kriminal në Spanjë. Përfaqësuesit e kompaninë, rrethi i Karathanos dhe mbase vetë greko-shqiptari Karathanos, kanë dosje të hapur për përfshire në krime të rënda. Sipas Bankës Botërore, kompanitë e Karathanos nuk plotësonin edhe kritere të tjera për të fituar koncesionin.

Ogerta Manastirliu dhe grupi i saj e kanë hedhur në kosh të plehrave kërkesën e Bankës Botërore, ndërsa i kanë dhënë koncesionin Janis Karathanos, siç edhe ishte planifikuar më parë në bazë të pazarit për të ndarë paratë publike.

Nuk është rastësi që banda e ministrisë është angazhuar që të koncesionin ta fitojë oligarku Janis Karathanos. Ky i fundit është një nga klientët kryesorë të Ministrisë së Shëndetësisë, përfitues i dhjetëra milionë euro me tendera të dyshimtë.



Më të lexuarat