Prapaskena

Gruaja me ar që u kap në Stamboll është kunata e Xhelal Reçit, u vra në Kurbin

Publikuar: 12/02/2022

Policia e Stambollit, ka arrestuar në 14 janar të këtij viti, Fatime Reçin, nga qyteti i Laçit, pasi rreth barkut të saj kishte futur, një çantë të mbushur me bizhuteri floriri dhe argjendi, që kapin shifrën e qindra mijëra eurove.

RTV “Ora News” mëson se Fatime Reçi, rezulton të jetë kunata e Xhelal Reçit, i cili mbeti i vrarë nga persona ende të paidentifikuar, në 1 nëntor të vitit 2021 në Kurbin.

Reçi, mësohet të jetë dhe vjehrra e një personazhi tjetër të botës së krimit, që kohët e fundit është përfolur për lirimin e dyshimtë nga burgu.

Gruaja nga Laçi, që zotëron një dyqan floriri në këtë qytet dhe një në Tiranë, të hapur në 30 Tetor 2020, kishte udhëtuar nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Stambollit në Turqi.

Reçi, kishte vetëm një çantë dore me vete ndërsa rreth barkut të saj, kishte fshehur një çantë tjetër me qëllim shmangien e kontrolleve të policisë dhe monitorimit të skanerave.

E habitshme është se si ka mundur të kalojë, Fatime Reçi, sasinë e floririt dhe argjendit në pikën e kontrollit në Rinas.

Pamjet filmike të transmetuara nga policia turke, tregojnë, Fatime Reçin, teksa përpiqet të kontrabandojë nga Shqipëria në drejtim të Turqisë, sasinë e konsiderueshme të bizhuterive, orëve të ndryshme, monedhave të florinjta dhe dhjetëra unazave dhe varësve të shtrenjta.

Malli me vlerë, nuk kishte asnjë dokument shoqërues, ndërsa janë ngritur dyshime të forta se floriri dhe argjendi, ishin të vjedhura në zona të ndryshme të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë nga një grup grabitësish nga qyteti i Laçit.

Reçi, në këtë rast me sa duket ka shërbyer si “korriere” e këtij grupi, me qëllim transportimin e sasisë së floririt deri në destinancionin e kërkuar.

Policia e aeroportit ndoqi gruan që dyshonin për veprimet e pakuptimta të saj gjatë procesit të skanimit.

Më pas policia e ndaloi gruan dhe e kontrolloi atë dhe valixhen e saj.

Por kur në valixhe nuk u gjend asgjë e jashtëligjshme, policia konstatoi se Reçi kishte vendosur një çantë të veçantë në bark poshtë rrobave, duke lënë përshtypjen e kërthizës.

Nga çanta e kontrolluar, rezultoi se aty ishin 3 kilogramë 117 gram flori, me vlerë tregu 2 milionë e 500 mijë lira.

Materialet e sekuestruara

1)     14 orë dore ari

2)     588 gramë unaza ari

3)     73 bizhuteri ari

4)     8 shufra ari

 

 



Më të lexuarat