Rasti më i fundit, ka ndodhur pasditen e sotme në paraburgimin e Drenovës në Korçë, ku një person ka ndërruar jetë.
Bëhet fjalë për shtetasin Ymer Bejkolli, i arrestuar pak kohë më parë për vjedhje. Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes. Por, ai ishte arrestuar për vjedhjen e disa objekteve kulti si kishë e xhami në Korçë. Trupi do i nënshtrohet ekspertizës mjeko ligjore e cila pritet te zbardhë shkakun e vdekjes.
Ndërkohë, dy ditë më parë në burgun e Peqinit vdiq një tjetër i dënuar. Dyshohet se shkak i vdekjes së Andi Gjocit ka qenë një arrest kardiak. 46-vjeçari ishte i dënuar për vjedhje.
Po këtë vit, më konkretisht në janar u raportua se ndërroi jetë Rexhail Qerimi, ish-pjesëtari i UÇK-së i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Alfa” në Maqedoninë e Veriut. Qerimi pësoi një goditje në tru dhe ndërroi jetë gjatë dërgimit në spital.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Rexhail Qerimi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një pjesëtari të njësitit special “Alfa” në vitin 2010.
Në këtë rast ishte dënuar me nëntë vjet burg Ramadan Shaqiri si bashkëpunëtorë në krim, ndërsa me burgim të përjetshëm ishin dënuar Rexhail Qerimi dhe Almir Drpljani.