Prapaskena

‘Start Bus Korça’, linja e vdekjes: E vërteta e tmerrshme e aksidentit në Librazhd dhe mashtrimi kriminal i policisë

Publikuar: 10/02/2022

Një autobus me 30 pasagjerë ka shpëtuar mrekullisht pa përfunduar në ujërat e Lumit Shkumbin këtë të hënë. Mjeti me 30 persona, për fat u ndal në buzë të greminës, në Kthesën e Murrashit në Librazhd, e njohur si kthesa e vdekjes, pasi vetëm disa ditë më parë humbën jetën tre persona, pasi makina me të cilën udhëtonin ra ujërat e Lumit Shkumbin.

Kthesa e Murrashit është një kthesë e zakonshme si mijëra kthesa në rrugët e Shqipërisë, por atë e bëjnë të rrezikshme dy komponentë: Rënia e gurëve në rrugë, pra mungesa e sigurisë dhe mungesa e kryerjes së shërbimit nga një kompani korruptive, e cila ka fituar tenderin e mirëmbajtjes, por që ka kontraktuar një kompani tjetër anonime.

Komponenti i dytë ka të bëjë me mjetet jashtë standardeve.

Në aksidentin e së hënës, ku vetëm për pak centimetra autobusi do të binte në greminë, nuk ishin shkak gurët për daljen nga rruga. As reshtjet e lehta të shiut nuk ishin shkak.

Shkaktari i djeshëm i aksidentit ishte minibusi jashtë standardeve të sigurisë së kompanisë ‘Start Bus Korça’. ‘Pamfleti’ ka mësuar se minibusi ishte me defekt, sikurse edhe mjete të tjera të kësaj kompanie, drejtuesit e të cilës nuk investojnë në riparimin e autobusëve, por duan të fitojnë sa më shumë duke luajtur me jetën e pasagjerëve.

Ditën e djeshme, autobusi me 30 persona është fikur dy herë gjatë rrugës, dhe nuk kishte stabilitet në rrugë.

Mjeti është fikur një herë në Qafë Plloçë dhe më pas në Përrenjas.

Dhe për këtë janë dëshmitarë udhëtarët, të cilët qëllimisht nuk janë marrë në pyetje nga policia. Minibusi ka pushuar në Librazhd dhe vetëm disa minuta pas rinisjes gati sa nuk ka përfunduar në greminë, bashkë me 30 pasagjerë.

Dhe ky autobus nuk është mjeti i vetëm i amortizuar dhe jashtë standardeve i kompanisë ‘Start Bus Korça’, linjat e të cilës po kthehen në linja vdekje.

Pas kompanisë ‘Start Bus Korça’ qëndrojnë Bardhyl Mete, Hasan Ibrahimi, Endri Liçi, Ilir Gjata, Arjant Duro, Sotir Pinderi, Fatos Çako, Alban Ibraimi, Hasan Ibraimi, Sali Tërpollari, Barjam Liçi, Andera Trepollari, Veli Bezati, Gjergji Bella, Eraldi Gjolla dhe Armandi Kollçinaku.

Zinxhiri kriminal vijon tek policia dhe organet e tjera që lejojnë këtë kompani të luajë me jetën e njerëzve.

Policia, jo vetëm nuk hetoi aksidentin e djeshëm, por ka manipuluar ngjarjen në mënyrë kriminale, duke i paraprirë kështu tragjedive në të ardhmen.

Sipas policisë, shkak i aksidentit ishte lagështira në rrugë, një mashtrim ky flagrant, pasi minibusi ishte me shpejtësi të ulët dhe ditën e djeshme, në të njëjtën kthesë kanë kaluar mijëra mjete dhe asnjë prej tyre nuk rrezikoi për të përfunduar në Shkumbin.

“Me datë 07.02.2022, rreth orës 12:00, në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, në vendin “Ura e Murrashit’, shtetasi M. L., 29 vjeç banues në Korçë , duke drejtuar mjetin autobus tip “Benz”, si pasojë e lagështirës në rrugë, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën metalike”, ka njoftuar policia.

Autobusi ka qenë duke ecur ngadalë, faktor ky kyç që ka bërë të ndalet buzë greminës, bashkë me tokën e butë për shkak të shiut.

Autobusi ka pasur probleme në sistemin e drejtimit dhe frenimit, por e gjithë ngjarja është manipuluar për interesa kriminale dhe financiare./Pamfleti



Më të lexuarat