Krahas fundit të mandatit në korrik të KPK-së dhe mosmarrëveshjeve të politikës për të gjetur një zgjidhje përmes ndryshimit të Kushtetutës, procesi i Vettingut po rrezikohet edhe nga goditjet penale të anëtarëve të shkallës së parë dhe gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ditën e djeshme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të pezullonte pa afat nga detyra anëtarin Ardian Hajdari, pasi ky i fundit është marrë i pandehur nga SPAK për fshehje të ardhurash dhe deklarim të rremë pasurie. Hajdari është kallëzuar penalisht në qershor 2020 nga ish-prokurorët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku si dhe ish-gjyqtari Ervin Metalla.
Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit të Posaçëm të Apelit që pezullohet. Më parë gjyqtari Luan Daci u pezullua dhe më pas u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e Vettingun, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme nëpërmjet mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna në vitin 1997. KPA-ja e shkarkoi Dacin në dhjetor të vitit 2021, 9 muaj pasi ishte dënuar me vendim të formës së prerë.
Kallëzimet penale mund të prekin edhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në 7 janar të vitit 2022, gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani ka rrëzuar kërkesën e prokurorit të SPAK-ut Dritan Prençi, për të pushuar një çështje penale ndaj anëtares së KPK-së, Brunilda Bekteshi. Ndaj zonjës Bekteshi është referuar një kallëzim penal në SPAK nga ish prokurori Bujar Hoti, i cili pretendon se anëtarja e Vettingut ka konsumuar veprat penale të fshehjes së pasurisë dhe të falsifikimit të dokumenteve. Prokurori i SPAK-ut kërkoi pushimin e çështjes me pretendimin se nuk ekziston fakti penal i deklarimit të rremë të pasurisë dhe falsifikimit të dokumenteve. Por, Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se hetimi është i paplotë, duke vendosur kthimin e akteve dhe vijimin e hetimeve.
Në SPAK është kallëzuar për falsifikim dokumentesh edhe anëtarja e KPK-së, Alma Faskaj, nga ish-gjyqtarja e Apelit Shkodër, Hajrie Muçmata. Ish gjyqtarja ka pretenduar se Alma Faskaj, kur ka kryer aplikimin për të qenë pjesë e KPK-së, ka deklaruar se ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, por ka fshehur faktin se ka qenë e shkarkuar nga detyra me vendimin nr.8, të datës 23 gusht 1996 të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD me arsyetimin se “është konstatuar shkelje e ligjit dhe paaftësi në ushtrimin e detyrës”. Megjithatë, SPAK dhe gjykata e përjashtuan Alma Faskajn nga përgjegjësia e penale, edhe pse veprimi dukej i ngjashëm me atë të Luan Dacit. Kallëzime penale janë referuar edhe për anëtarë të tjerë të organeve të Vettingut, por nuk kanë përfunduar me ngritje akuze nga Prokuroria.
(Shqiptarja.com)