Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendimin për shkarkimin ose jo të presidentit Ilir Meta. Siç parashikon ligji, brenda 30 ditëve gjykata do të zbardhë edhe vendimin.
Në seancën e zhvilluar ditën e sotme që zgjati mbi 2 orë Presidenca iu përgjigj 72 pyetjeve. Gjithashtu palët paraqitën konkluzionet përfundimtare.
Përfaqësuesi ligjor i presidentit ditën e sotme, Bledar Dervishaj pretendoi se Kuvendi ka manipuluar provat. Dervishaj denoncoi se janë tjetërsuar fjalët në pretendimet e presidentit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka u shpreh në seancë se presidenti ka bërë shkelje të rënda kushtetuese. Sipas saj ai ndërhyri në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit duke mbajtur anë, sulmoi ndërkombëtarët dhe nxiti dhunë.