Tjetër skandal në drejtësi nga gjyqtarët KÇK. Gjyqtari Gerd Hoxha, me një vendim të dyshimtë, ka liruar disa ditë më parë nga burgu, Marson Muratajn, administratorin e kompanisë së kokainës ‘BanaKing’, për rastin e kapjes së 119 kg kokainë të pastër, ardhur nga Ekuadori.
Me 2 janar 2021, ishte pikërisht Gerd Hoxha, gjyqtari i cili la në burg tre të arrestuarit për kokainën, administratorin Marson Muratajn dhe dy shoferët.
Një muaj më vonë, Gerd Hoxha ndryshoi mendje, duke liruar administratorin e kompanisë së drogës kamufluar me banane, ndërsa la në burg dy shoferët. Si gjithmonë, të vegjlit hanë burgun, të mëdhenjt çajnë burgun.
Çfarë ndodhi që Gerd Hoxha ndryshoi mendje dhe hëngri ‘bananen’ e Trifon Muratajt, bosit të kompanisë së bananeve që reklamon Ardit Gjebrea?
Mos vallë gjatë muajit janar kanë hyrë në lojë çantat me paratë e drogës dhe shoferët korrierë, duke lëvizur mekanizmin korruptiv të drejtësisë?
Pse vendimet e dyshimta merren vetëm nga gjyqtarë që nuk e kanë kaluar Vetingun?
Me sa duket, me këtë vendim, Gerd Hoxha i ka ‘larë duart’ me Vetingun në Kolegjin e Apelit, ku ndërkombëtarët kanë kërkuar shkarkimin e tij nga detyra për mosjustifikim dhe fshehje pasurie, si dhe për vendimet abuzive në ish KLD.
‘Prapaskena’ do të referojë vendimin në KPA dhe rrethanat e dyshimta. Ky vendim duhet të jetë gjithashtu objekt i ILD-së dhe SPAK-ut.
Tashmë sytë janë nga Prokuroria e Tiranës, nëse do ta apelojë vendimin apo jo. Ndoshta Trifoni i drogës ka menduar edhe për këtë lëvizje!
Po kush është Gerd Hoxha?
Hoxha ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pjesë e grupit të Gjin Gjonit, Bujar Nishanit dhe Ilir Metës, të cilët vepronin nën komandën e Sali Berishës.
KLD-ja njihet ndryshe edhe si ‘Cosa Nostra’ e drejtësisë shqiptare.
Si kryetar i shoqatës së gjyqtarëve, Gerd Hoxha iu bashkua Berishës për sabotimin e reformës në drejtësi. Kur kuptoi se Berisha dhe Meta po merrnin fund nga SHBA, Hoxha e ndryshoi ‘pllakën’, duke dënuar Lulzim Bashën për shpifje.