Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në publik për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre. Pyetjes së gazetarëve nëse vendimi i Gjyaktës për dënimin e Tahirit ishte surprizues për të, kreu i qeverisë u përgjigj duke thënë se e ka ditur mirë se çfarë ka bërë kur ka udhëhequr Reformën në Drejtësi dhe se po të kthehej pas në kohë do të bënte të njëjtën gjë.
“Unë nuk i komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave. E kam ditur mirë se çfarë kam bërë duke udhëhequr reformën në drejtësi. 100 herë të kthehesha pas 100 herë do bëja të njëjtën gjë. Por sot jemi këtu për një çështje krejt tjetër me një rëndësi shumë të madhe dhe me një vlerë shumë pozitive për Shqipërinë, kështu që s’do doja të shfokusoheshim nga kjo çështje. Për çështje të tjera përfshirë dhe ecurinë e reformës në Drejtësi do kemi plot kohë dhe mundësi të tjera të flasim”, tha Rama.
Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri është dënuar më 3.4 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas Gjykatës Tahiri ka bashkëpunuar me grupin e Habilaje gjatë kohës që ka mbajtur postin e ministrit nga viti 2013-2017-të.
Gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me të vetmin ndryshim, vuajtjen e dënimit ne burg dhe jo në shërbim prove. Sipas gjykatës, provat e vëna në dispozicion konfirmojnë lidhjen e tij me grupin e Habilajve, duke i ndihmuar ata në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali.
Saimir Tahiri ishte i pranishëm gjatë leximit të vendimit që e çoi atë në burg. Ai e priti qetë verdiktin, por me buzëqeshje shmangu dhënien e nje komenti për mediat. Pak minuta pasi dëgjoi vendimin, Tahiri shkroi në rrjete sociale se nuk ka shkelur kurrë ligjin dhe ky dënim është thjesht padrejtësi. Avokati i tij e quajti vendimin skandaloz dhe paralajmëroi se do i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë. Në bazë të procedurës, ish-ministri e nisi menjëherë vuajtjen e dënimit në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili është burgu “313” në Tiranë.