Prapaskena

Dosja “Tahiri”, si nisi akuza për trafik droge në vitin 2017 dhe përfundoi për shpërdorim detyre

Publikuar: 04/02/2022

7 vite pas akuzave të para si implikuar në trafik droge, ish-ministri Saimir Tahiri është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg.

Kjo çështje ka nisur që në vitin 2015-ën, kur akuzat e para ndaj Saimir Tahirit për bashkëpunim me vëllezërit Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në policinë e Fierit dhe ish-polic kufitar në Vlorë.

Ai pretendonte se Tahiri kishte vënë në dispozicion të Habilajve makinën personale me targa AA 003 GB, për të kryer trafikun e drogës drejt Greqisë.

Akuza këto cilat mbështeteshin edhe nga opozita, për disa muaj.

Por zhvillimet kryesore të çështjes Tahiri nisën rreth dy vite pas denoncimeve të ish-policit.

Më 11 mars 2017 – Tahiri shkarkohet si Ministër i Brendshëm, në vend të tij emërohet Fatmir Xhafaj.

Më 16 tetor të të njëjtit vit Moisi Habilaj dhe anëtarë të tjerë të bandës arrestohen në Itali me akuzën e trafikut të narkotikëve. Në Hetimet e Prokurorisë së Katanias përmendej edhe ish-Ministrin Tahiri.

Mes përgjimeve, habiljat deklaronin se i kishin bërë familjes së Tahirit bizhuteri me vlerë deri në 15 mijë euro.

3 ditë më pas, më 19 tetor 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Tahiri, mandat të cilin Tahiri e dorëzoi më 3 maj të 2018-s.

Më 5 korrik 2018 Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrest me burg për Tahirin, por Gjykata e shkallës së parë e Krimeve të Rënda vendosi për arrest shtëpie.

Dy vite pas nisjes së hetimeve, më 27 shkurt 2019, Prokuroria dërgon dosjen e Tahirit në Gjykatë me akuzat përfundimtare “trafikim i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”; “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Por Gjykata për Krime të Rënda dënoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri vetëm për shpërdorim detyre me 5 vite burg, por me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim.

Të cilin e njëjta Gjykatë e konvertoi me shërbim prove.

Këtë vendim la në fuqi edhe Gjykata e Posaçme, por me diferencën e vetme, që tahiri nuk do kryej shërbim prove, por do vuaj dënimin në burg.



Më të lexuarat