Pas dënimit më 3 vite e 4 muaj burg për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ka reaguar
edhe avokati i tij, Maks Haxhia.
Ai tha jashtë Gjykatës se vendimi ishte skandaloz dhe se nuk e prisnin një gjë të tillë, duke shtuar se i është hequr vendimi i nenit 59 pa justifikim.
Haxhia: Vendimi ishte skandaloz. Nëse burgimi i Tahirit do të kënaqë dhe do të përmbushë atë shqetësim që kishte opinioni shqiptar, le të quhet i përmbushur. Kjo gjykatë bëri atë që s’mund të bëhet nga pikëpamja juridike. La në fuqi vendimin e shkallës së parë, por hoqi pezullimin e nenit 59.
Nuk e dimë si do ta justifikojë gjykata një vendim që heq pezullimin. Ky vendim ishte për të kënaqur. Duke parë këtë vendim të pajustifikuar se pse duhet të hiqet aplikimi i nenit 59 i ka të gjitha. Sot Saimir Tahiri i kishte mundësitë që edhe të mos vinte. Kishte njerëz që i thoshin ik, mos u paraqit, por insistoi që të ishte në dispozicion të drejtësisë. Sot do të shkojë te Drejtësia e Policia. Për rekursin presim vendimin e arsyetuar. Tahiri e priti vendimin qetësisht. Ne sot prisnim pafajësi totale.