Prapaskena

Mulliri që bashkon Dibrën dhe Kukësin, aty ku fëmijët martoheshin që pa lindur

Publikuar: 29/01/2022

Ujërat e Burimit të Postovirës përpara se të derdheshin furishëm në luginën e lumit Drini i Zi kalonin nën gurin e një mulliri shekullor.

“Mulliri i Postovirës” mendohet se u ndërtua nga fisi Marku nga fshati Vrej i Kukësit. Ai dikur njihej si një pikë bashkimi e zonës së Kukësit me të Dibrës.

Banorët që dyndeshin nga të dyja zonat për të bluar në mullirin e vendosur përbri Drinit të Zi, në një peizazh piktoresk, nisnin të bisedonin edhe për fatin e fëmijëve të tyre, duke mësuar se kush ka djalë apo vajzë për të martuar dhe opinionin e fshatit për familjen. 

Por një pjesë e tyre sipas traditës “martoheshin që në bark”, ende pa lindur. Ajo realizohej kur të dy burrat i kishin nuset shtatzëna dhe krijonin miqësi, me parimin se nëse një prej foshnjeve është vajzë dhe tjetri djalë, ato martoheshin kur mbushnin moshën. Por nëse fëmijët ishin të njëjtës gjini nuk realizohej martesa, por të dyja familjet mbeteshin miq.

Mulliri shërbente kështu edhe si një pikë diskutimi jo vetëm për fatin e fëmijeve por edhe të çështjeve që lidheshin me fshatin. 

Për banorët vendi ku gjendet mulliri është edhe zonë e shenjtë, “vakëf”. Sipas historisë së treguar ndër fshatra, një hajdut niset për të vjedhur natën drithin që ishte bluar.

Pasi mori çfarë mundi, u nis për të ikur dhe pas ecjes së gjatë përgjatë gjithë natës, në të zbardhur e gjeti veten përsëri tek dera e mullirit. I tronditur, e la drithin dhe iku tek mullixhiu duke i rrëfyer çfarë kishte ngjarë. Pas kësaj ngjarje nuk ndodhi më asnjë vjedhje në mulli.

Godina ishte dy katëshe. Në katin e parë ishte vendosur mulliri për blurje drithërash, ndërsa kati i dytë shërbente për prodhimin e shajakut (kashnikut), që ndryshe quhet edhe valanicë.

Mulliri sot paraqet vetëm vlera historike, pasi është jashtë funksionit dhe me ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës do të përmbytet.



Më të lexuarat