Prapaskena

Anëtarët e Vetingut u harbuan dy netë në hotelin luksoz në Vlorë, nuk tregojnë se kush ua mbuloi shpenzimet

Publikuar: 21/01/2022

Ndërsa shumë gjyqtarë dhe prokurorë ishin në ankth nëse do të kalojnë ose jo Vetingun, anëtarët e Komisionit të Vettingut  janë harbuar tre ditë dhe dy netë në resortin luksoz në Vlorë, “Marina Bay”.

Në datën 30 shtator, 12 anëtarët e Komisionit të Vetingut dhe një pjesë e administratës u akomoduan tek “Marina Bay” për të analizuar punën 4-vjeçare, thua se kishte pak salla konferencash në Tiranë. Pas mbarimit të analizës, grupi nuk u kthye në Tiranë, por qëndroi në resort, duke shijuar shërbimet e luksit të hotelit. Ata fjetën dy net në hotel, duke u argëtuar, konsumuar ushqim cilësor dhe shijuar shërbimet e tjera.

Skandali qëndron në faktin se Komisioni i Vettingut refuzon të tregojë se kush i ka mbuluar shpenzimet e qëndrimit në hotel për dy net me radhë, thua se është një organ privat dhe jo një institucion i rëndësishëm shtetëror, të cilit shqiptarët i kanë besuar shembjen e drejtësisë së korruptuar. Dikush ka paguar shpenzimet e  komisionerëve të Vettingut për qëndrimin gati treditor tek “Marina Bay”, por nuk dihet se çfarë interesash e kanë shtyrë.

Dyshimet për një skandal të mundshëm shtohen kur KPK-ja e ka fshirë në dokumente emrin e sponsorizuesit, duke e konsideruar sekret.

Të pranishëm në aktivitet kanë qenë edhe tre vëzhgues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit si dhe dy përkthyes të tyre. Por, ndryshe nga anëtarët e KPK-së, ata janë larguar nga hoteli sapo ka mbaruar aktiviteti, pasi etika e tyre profesionale nuk i lejonte të harboheshin në hotel, aq më tepër me paratë e një subjekti të dyshimtë.

Anëtarët e Vettingut marrin një rrogë prej 4 mijë USD në muaj, dieta, shpërblime etj., ndërsa kanë siguruar me para publike nga ana shëndetësore edhe familjarët. Komisioni i Vettingut ka bërë një punë të rëndësishme, por në fund të mandatit ka nisur t’i ngjajë drejtësisë së vjetës që shembi vetë./Pamfleti



Më të lexuarat