Prapaskena

Si u zbuluan produktet me fekale te “Gjirofarma”, roli mafioz i AKU-së dhe përpjekjet për të mbuluar krimin masiv

Publikuar: 20/01/2022

Nga ana tjetër, përballë këtij krimi masiv kundër njerëzve kryer nga “Gjirofarma” dhe AKU, prokuroria vijon të heshtë. Kosin me fekale të “Gjirofarma”-s mund ta kenë konsumuar dhe vetë familjarët dhe të afërmit e atyre prokurorëve që vegjetojnë në zyrat e ngrohta.

Kosi dhe produktet e tjera me fekale të kompanisë kriminale “Gjirofarma” me pronar Piro Karanxhën janë zbuluar rastësisht dhe jo për shkak të veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kupolës së mafies së ushqimit në Shqipëri. “Gjirofarma” ka vijuar të shesë produkte të pasigurta dhe të kontaminuara me jashtëqitje kafshës nën hijen e AKU-së, pa u kontrolluar dhe rrjedhimisht pa parandaluar konsumimin e tyre nga qytetarët.

Në 12 dhjetor 2021, “Gjirofarma” e Piro Karanxhës, ka dërguar vetë një mostër kosi për autokontroll pranë  Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare. “Analiza laboratorike nga e cila rezultoi problematika e sipërpërmendur, është kryer me iniciativën tonë, të shoqërisë “Gjirofarma”sh.a  dhe në kuadrin e vetëkontrollit të prodhimit”, ka sqaruar kompania “Gjirofarma”.

Veprimi është skandaloz dhe i paligjshëm, pasi ka një urdhër ministri të vitit 2018, i cili ndalon autokontrollin nga kompanitë. Kompanitë le të bëjë vetë analiza sa të duan dhe si të duan, por rezultatet nuk mund njihen nga autoritetet kontrolluese, për arsyen e thjeshtë se një kompani nuk mund të paraqesë rezultate për të dëmtuar veten.

Sipas urdhrit të ish –ministrit  Bledi Çuçi kontrolli bëhet vetëm në bazë të planeve të monitorimit  të  AKU-së. Megjithatë,  AKU ka pranuar analizën që ka paraqitur vetë “Gjirofarma”. Çuditërisht, kosi dhe salca e kosit kanë rezultuar me ngarkesë mbi normën e lejuar me enterobakter, që del nga zorrët e kafshëve dhe që është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.

Autoriteti Kombëtar të Ushqimit nuk ka proceduar me ndalimin e menjëhershëm të produktit dhe njoftimin e konsumatorëve për rrezikun, por ka bërë një tjetër analizë vetë, ku sërish kosi ka dalë i kontaminuar. AKU ka pritur rezultatin e analizës së dytë për të ndërhyrë. Skandali është i trefishtë.

Së pari, “Gjirofarma” ka shitur kos me fekale deri në 12 janar 2021. Rasti konfirmon se AKU nuk garanton sigurinë ushqimore dhe nuk ka kontroll mbi produktet që konsumojnë qytetarët. AKU ka marrë një analizë nga vetë “Gjirofarma”, gjithsesi të paligjshme, dhe sërish nuk ka ndërhyrë.

Skandali tjetër edhe më i rëndi është shënuar në datën 13 janar 2022. AKU njoftoi konsumatorët se  produktet e një kompanie ishin me fekale. AKU fshehu emrin e kompanisë në mënyrë qëllimshme.

Në njoftim thuhet vetëm operatori ‘Gj’, thuhet se po bënte një fjalëkryq dhe jo se kishim të bëjmë me shëndetin e qytetarëve.

 “AKU njofton konsumatorët se produktet e operatorit të biznesit ushqimor me inicialin “Gj”, pas analizave të vetëkontrollit, u konstatuan me vlerë mbi normën e lejuar të Ngarkesës së Përgjithshme Mikrobike (NPM) enterobakter”, thuhet në njoftimin e AKU.

Nga ta dijë një pensioniste në Fier, Tiranë etj., se kush është ‘Gj’. Apo sipas AKU-së qytetarët do të shtinin fall për të zbuluar produktet i përkasin “Gjirofarma”-s! Edhe këtë herë ishte media që zbuloi emrin e kompanisë dhe dha alarmin, duke bërë punën që duhet ta bënte AKU-ja.

Nga ana tjetër, përballë këtij krimi masiv kundër njerëzve kryer nga “Gjirofarma” dhe AKU, prokuroria vijon të heshtë. Kosin me fekale të “Gjirofarma”-s mund ta kenë konsumuar dhe vetë familjarët dhe të afërmit e atyre prokurorëve që vegjetojnë në zyrat e ngrohta./Pamfleti



Më të lexuarat