Prapaskena

Zgjedhjet e pjesshme vendore, Ilir Meta nis konsultimet me partitë politike! Përfaqësuesi i PS në 12:30 në Presidencë

Publikuar: 19/01/2022

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nisur procedurat për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme teksa 6 bashki janë në pritje të kryetarit të ri të zgjedhur. Në këtë takim këshillues, palët duhet të vendosin së bashku mbi datën e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

 

Ndërkohë që e parë që ka njoftuar prezencën ka qenë Partia Socialiste pasi orën 12:30 Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla do të jetë në Presidencë.

Socialistët janë shprehur gati për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët në 6 bashki. Deri para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta pati refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte të njihte 30 qershorin.

Pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale në Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Nga 6 bashki, Shkodra është e vetmja që drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar. Durrësi dhe Dibra mbeten pa kryetar për shkak se Dionis Imeraj dha dorëheqjen, ndërsa një deklaratë e pamenduar gjatë tërmetit të nëntorit 2019 do i kushtonte mandatin kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako. Ndarja nga jeta e Haxhi Memollës la pa kryebashkiak të zgjedhur Rrogozhinën.

VAKANCAT NË BASHKI: Valdrin Pjetri, Shkodra, për shkak të dekriminalizimit; Valbona Sako, Durrës, për shkak të dorëheqjes; Agim Kajmaku, Vorë, për shkak të dekriminalizimit; DionisImeraj, Dibër, kandidoi për deputet; Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta; Fatos Tushe, Lushnjë, u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion.

 



Më të lexuarat