Prapaskena

Akuzohet për 515 mijë euro, Murrizi: Dokrra që shkruhen nga ish-sigurimsa si Vocaj

Publikuar: 05/01/2022

Ish-deputeti Myslim Murrizi reagoi në lidhje me lajmin e nisjes së hetimeve ndaj tij për “fshehje të ardhurash” dhe “pastrim parash” pasi pretendohet se nuk ka deklaruar 515 mijë euro.

Për “Report TV”, ai akuzoi drejtorin e Policisë Kriminale Tonin Vocaj duke thënë se ai ka raportuar dokrra dhe është ish-sigurims. Ai u shpreh se është habitur në lidhje me akuzën e pastrimit të parave duke thënë se politikanët e pozitës dhe opozitës kanë lavatriçet e tyre të pastrimit të parave. Murrizi ftoi Prokurorinë e Tiranës të hetojë çdo të ardhur të tij.

“Duhet të kisha unë njohuri për këtë hetim ndërkohë që unë kam asnjë informacion.  Unë kam qenë person i ekspozuar politikisht dhe kam deklaruar pasurinë 4 vite rresht. Të gjitha dokrrat që shkruajnë në atë raport ish-sigurimsat si Tonin Voci.  Nuk është e vërtetë që jam dënuar, kam marrë pafajësinë nga Gjykata e Lartë. Është vendimi nr. 423 i Gjykatës i së Lartë. Ky është maskarallëk i një grupi fundërrinash që kryesojnë Policinë e Shtetit. Unë kam deklaruar çdo qindarkë. Fundërrinat e këtij lloji i kam përdorur shpesh si letra higjienike. Habia më e madhe është akuza për ‘pastrim parash’. Paratë e kujt pastroj unë? Të ministrave të Ramës? Të Lulit? Ata i kanë lavatriçet e tyre”, deklaroi Murrizi.

Ish-deputeti i opozitës u kallëzua nga Drejtoria e Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës për mosdeklarimin e të ardhurave të kompanisë së tij tij “Murrizi 2009” në ILDKPI si dhe për mosjustifikimin e transaksioneve bankare me vlerë 515 mijë euro. Këto veprime nga Murrizi dyshohet se janë kryer që prej vitit 2010.

 

 



Më të lexuarat