Prapaskena

Plumbat e kapën në bark dhe shpatull, misteri dhe dëshmia e të plagosurit: Më qëlluan në Shkodër

Publikuar: 03/01/2022

Zbulohen detaje të reja lidhur me plagosjen e Vinçens Pirolit mbrëmjen e sotme në Shkodër. 34-vjeçari i kërkuar nga Mali i Zi për vrasje sonte ka marrë dy plumba, në bark dhe shpatull. Një person ende i paidentifikuar e ka transportuar me makinë nga Shkodra në drejtim të spitalit të Lezhës.

Arsyeja ende nuk dihet përse nuk u dërgua në spitalin e Shkodrës. Dyshimet janë se drejt Lezhës u dërgua nga frika e një tjetër atentati që mund t’i bëhej në kryeqendrën e veriut. Personi që e ka transportuar, sapo e ka futur në spital është larguar. Kamerat e sigurisë pritet që ta identifikojë. Vinçens Piroli ka deklaruar vetëm se “jam plagosur në Shkodër”.

Për shkak të plagëve të rënda nuk ka dhënë më shumë detaje dhe është nisur drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar në spitalin e Traumës. Edhe policia e ka konfirmuar faktin që plagosja ka ndodhur në Shkodër, pasi ka ndjekur itinerarin e makinës tip “Ford” që e transportoi në Lezhë. Dy policitë, e Shkodrës dhe e Lezhës janë duke punuar për të identifikuar dhe arrestuar autorët e plagosjes.

Kush është Vinçens Piroli?

34-vjeçari me origjinë nga Sanxhaku i Kurbit është një emër i njohur për drejtësinë. Ai është një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mali i Zi e kërkon pasi Vinçens Piroli së bashku me Dorjan Lalën akuzohen se kanë vrarë malazezin Momçillo Gjurishic.

Në 12 tetor të këtij viti, shefi i sektorit kundër kriminalitet dhe korrupsionit në Malin e Zi Aleksandar Boshkoviç deklaroi se dy shqiptarët janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen më 4 korrik 2021 në Ulqin, pasi janë gjetur prova të mjaftueshme kundrejt tyre.

Ngjarja dyshohet se lidhet me hakmarrjen. E ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar, Piroli lëvizte lirisht dhe sonte u qëllua duke mbetur i plagosur, ndërsa tashmë ndodhet në duart e drejtësisë



Më të lexuarat