Prapaskena

E ka lexuar prokurori i përgjithshëm listën e pagave?

Publikuar: 26/12/2021

Nëse ka diçka që të bën përshtypje në listën e pagave, janë nivelet e larta të shpërblimit të sektorit privat. Thënia se këto janë marrëdhënie private, nuk ka vend fare të rrijë. Pagat në një vend normal janë në raport të drejtë me të ardhurat që krijon një kompani dhe me pagën e punonjësve të saj. Në Itali diferenca mes pagës së një punonjësi dhe presidentit të shoqërisë sipas një studimi të Mediobanca është 8.5 herë. Dhe këtu flasim për një nga vendet më të pasura të botës ku diferenca mes nesh dhe shumatores të të ardhurave individuale dhe numrit të popullsisë është 1 me 200.

Ndërkohë në Shqipëri ndodh si në rastin e “Kurum” ku administratori që e falimentoi në vitin 2016 paguhet 10.000€ në muaj por këtë radhë si këshilltar. Më e çmendur bëhet pagesa nëpër banka. Në Itali një drejtor filiali paguhet nga 2.500€ në muaj deri në 5.000€ në muaj pas dhjetë vitesh pune eksperiencë. Flasim për filiale të qyteteve me popullsi sa gjithë Shqipëria. Në Shqipëri kemi këshilltarë bankash që paguhen 7-8 mijë euro në muaj, pa folur për drejtoret e përgjithshëm ku pagat fluturojnë në stratosfere. E gjitha kjo në një vend ku paga minimale teorike është 240€, pasi jo rrallë ndodh që një pjesë punonjësit detyrohen ta kthejnë mbrapsht.

Lista mund të behet e gjatë me shoqëri shfrytëzimi minierash, sigurime, transporti, energjie, ndërtimi. Emëruesi i përbashkët i tyre është që nuk mundet një ekonomi primitive si jona që të paguajë paga dhe bonuse të cilat lënë pas edhe ato të vendeve të zhvilluara. Ca më keq, këto shpesh veprojnë si plaçkitëse të ekonomisë duke lënë pas një varrezë. Dhe ka vetëm një shpjegim për këto para dhe shpërblime: Janë pastrim parash. Burimi i këtyre parave është larg mendsh të jetë pjesë e produktivitetit ekonomik. Është pastrim parash të evazionit fiskal; pastrim parash të gjobave; pastrim prash për pagesa të trafikut të influencës, dhe në fund fare të pastrimit të parave të drogës. Sepse lista e pagave është rasti më ulëritës i krimit të jakave të bardha.

Dhe këtu vijmë tek prokurori i përgjithshëm që pas një viti e ca në detyrë është dëgjuar vetëm kur deklaroi se Përmeti është qendër problematike e krimit. Pas kësaj ka qenë vetëm heshtje dhe prokuroria merret me mbledhjen e gëzhojave të bandave që lajnë hesapet. Ndërkohë këta janë vrima e fundit e kavallit. Ajo që tregoi bërtitshëm se krimi është ulur këmbëkryq në sistemin e ekonomisë tonë është lista e pagave. Dhe njerëzit presin që prokurori i përgjithshëm të ngrejë disa task forca për secilin nga degët e ekonomisë ku duket qartë që kemi krimin të ngërthyer. Të tregojë që ky nuk është pjesë e sistemit të gjobave dhe 400 prokurorë nuk e hanë bukën kot.



Më të lexuarat