Prapaskena

Dosja e Incineratorëve/ Klodian Zoto disponon pasaportë Portugeze, besohet se iku edhe nga Gjermania

Publikuar: 16/12/2021

Klodian Zoto, bosi i tre incineratorëve në Shqipëri ka shumë gjasa të jetë larguar dhe nga Gjermania, ku në mesnatën e 1 dhjetorit 2021, ka zbritur në aeroportin e Frankfurtit.

Burime pranë Policisë së Shtetit, të cilat janë ngarkuar nga SPAK për të kërkuar dhe arrestuar Zoton dhe ortaken e tij, Stela Gugallja, u shprehën se, Zoto disponon një pasaportë Portugeze, dokument me të cilin mund të udhëtojë në çdo vend të Evropës dhe botës.

Eshte zbuluar se qysh prej vitit 2004, Klodian Zoto, ka përdorur 4 pasaporta të ndyshme shqiptare, dokumente këto që janë regjistruar të gjitha në sistemin kufitar Shqiptare.
Pavarësisht dyshimeve se Zoto është larguar dhe nga Gjermania, Policia e Shtetit dhe struktura e Posaçme SPAK, nëpërmjet zyrave të marrëdhënies me jashtë, tashmë kanë hyrë në bisedime me partnerët e tyre në Gjermani dhe Austri, me qëllimin e vetëm, lokalizimin dhe arrestimin e Klodian Zotos dhe Stela Gugallja.

Hetimi i SPAK, ka zbuluar se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, që u arrestua më 14 dhjetor, dyshohet se ka përdorur një skemë me 8 kompani private për të marrë 3.6 milion euro nga incineratori i Elbasanit, që drejtohet nga kompania koncesionare, “Albtek Energy”. Sipas SPAK, pronarët e këtyre kompanive janë 17 persona, të cilët rezultojnë miqtë e besuar të ish-ministrit Lefter Koka dhe djalit të tij, Arbi Koka.

“Disa nga këto kompani, janë krijuar në të njëjtën ditë, kanë të njëjtin objekt, dokumentet e tyre janë noterizuar tek i njëjti noter, madje kanë të njëjtin ekspert kontabël. Ato janë krijuar dhe pas një ose vetëm disa veprime financiare, e kanë pezulluar statusin e tyre aktiv.

Këto kompani kanë të punësuar një ose dy punëtore dhe nuk e justifikojnë aspak vlerën e transaksionit apo transaksioneve financiare të kryera”-thuhet në dosjen e SPAK. Ndërsa më tej në dosje flitet edhe për kompaninë koncesionare “Albtek Energy”, ku sqarohet se: “kapitali themeltar i kësaj shoqërie në fillim ishte vetëm 100.000 leke dhe numri i punonjësve të saj në momentin e paraqitjes së ofertës në datë 16 dhjetor 2014, ishte vetëm 2 persona”.



Më të lexuarat