Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rrethuar kokat e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Shpallja e Sali Berishës non grata në 19 maj 2021 si dhe izolimi 3-vjeçar i Ilir Metës, është vetëm hapi i radhës i SHBA për të shkatërruar dhe fundosur binomin e zi të krimit, korrupsionit, pastrimit të parave dhe shantazhit në Shqipëri. Disa mesazhe të koduara paralajmëruese, lëvizje dhe vendime, sinjalizojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë vitit 2022, do të ndërmarrin sanksione të reja ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët udhëheqin në Shqipëri frontin kundër Perëndimit, reformës në Drejtësi, për minimin e demokracisë dhe për mbrojtjen e vetës, familjes dhe pasurive të paligjshme nga veprimi i drejtësisë.
Konkretisht, Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit në SHBA pritet të vendosë sanksione ndaj Sali Berishës, Ilir Metës, familjeve tyre, por edhe anëtarëve të qeverisë së Edi Ramës, duke u bllokuar pasuritë dhe paratë jashtë vendit, për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor dhe pastrim parash. Dy ditë më parë, Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit ka futur në listën e zezë të sanksioneve 16 persona dhe 24 kompani si pjesë e organizatave kriminale, që veprojnë në fushën e kontrabandës në mallrave dhe pastrimit të parave. 13 prej tyre janë serbë që jetojnë në Veri të Kosovës.
Jo rastësisht, njoftimi i DASH u shpërnda nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke u dhënë një mesazh të fortë kokave të korrupsionit në Tiranë. SHBA goditi kokën e krimit të organizuar dhe korruptimit të politikanëve në Veri të Kosovës, Zvonko Veselinoviç, një personazh i lidhur me politikanë të Kosovës dhe Beogradit. Në listën e sanksioneve, është edhe Milan Radoiçiç, nënkryetar i partisë ‘Lista Serbe’ dhe i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç. Pjesë e listës është edhe Zhelko Bojiç, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviçit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.
Ditët djeshme, vetë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken bëri me dije se Amerika ka një tjetër listë me 11 persona që janë shpallur ‘non grata’. Po gjatë ditës së djeshme, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar, zbarkoi në Tiranë, duke artikuluar disa mesazhe në adresë të kokave të korrupsionit në Shqipëri. Ai lajmëroi Lulzim Bashën se pas shpalljes ‘non grata’ të Sali Berishës, amerikanët kanë një listë të gjatë me politikanë shqiptarë të korruptuar, të cilët do të shpallen po ashtu ‘non grata’ dhe do të jenë objekt i sanksioneve të bllokimit të parave dhe pasurive.
Nga ana tjetër, Sali Berisha deklaroi mbrëmë publikisht se është paralajmëruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se ndaj tij dhe familjes së tij do të ndërmerren sanksione nga Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit në SHBA, ashtu si për organizatat kriminale të Beogradit në Veri të Kosovës.
“Jam kërcënuar se do t’i dërgojnë të gjitha në thesar dhe përgjigjja ime ka qenë e prerë. Bëni çfarë të doni, gjithçka është e bazuar në shpifje dhe trillime dhe unë do merrem me gjykatën”, tha Berisha./Pamfleti