Prapaskena

Berisha ‘grusht shteti’ për pushtimin e PD-së, atentat statutor me Foltoren e stadiumit, pritet tjetër ndëshkim nga SHBA

Publikuar: 11/12/2021

Sali Berisha ka nisur sot zbatimin e një ‘grushti shteti’ për të pushtuar Partinë Demokratike, përmes krijimit të strukuratave paralele dhe një statuti partiak paralel, duke sfiduar hapur Perëndimin, por edhe SPAK. Është një sfidë edhe për SPAK pasi Sali Berisha ka hedhur miliona euro para të pista për financimin e aksionit të tij politik kundër SHBA dhe për të rrëzuar Lulzim Bashën.

Një ditë pasi zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar i kërkoi llogari SPAK-ut se çfarë priste dhe pse nuk vepronte ndaj Sali Berishës, ky i fundit mblodhi një foltore të madhe anti-amerikane në stadiumin kombëtar, duke shpalosur skenarin e pushtimit të PD-së, si një formë presioni ndaj SHBA për ta hequr nga lista e zezë si i korruptuar dhe për të marrë një garanci se nuk do të arrestohet.

 Ky është puçi i dytë i Sali Berishës, pas grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, ku me disa banda të armatosura sulmoi institucionet kryesore, duke marrë pushtetin me dhunë. Në atë kohë u desh një ultimatum nga SHBA që Sali Berisha të tërhiqte bandën e armatosur nga institucionet shtetërore.

 23 vite më pas, Sali Berisha po tenton të pushtojë Partinë Demokratike, të cilën e përdori për grushtin e 14 shtatorit ’98. Berisha mblodhi mbështetësit e tij sot në stadium, mbledhje të cilën e quajti Kuvend të PD, në kundështim flagrant me statutin e PD. Statuti i PD parashikon që kur Kuvendi mblidhet me kërkesë të 1/4 së delegatëve, mbledhja drejtohet nga një komision i miratuar nga Lulzim Basha.

Berisha e ka sajuar vetë këtë komision. Kuvendi i Berishës shkarkoi Lulzim Bashën, të cilin Berisha e akuzon për bashkëpunim me SHBA. Shkarkimi i Bashës është tërësisht një akt i paligjshëm, pasi Kuvendi nuk ka në kompetencë të iniciojë shkarkimin e kryetarit të partisë. Shkarkimi i kryetarit bëhet vetëm nga Këshilli Kombëtar i PD-së.

Për të mbuluar këtë veprim, Berisha ka ndërmarrë një tjetër akt arbitrar dhe të paprecedentë, duke miratuar një statut të ri paralel, me rregulla të sajuara prej tij. Që një statut të konsiderohet i tillë duhet të miratohet nga një mbledhje e ligjshme e forumit më të lartë vendimarrës të partisë, gjë që nuk ka ndodhur në këtë rast.

Së dyti, çdo statut, para se të zbatohet, duhet të verifikohet nga gjykata nëse është demokratik apo terrorist.

Foltorja e stadiumit ka konsumuar sot tē gjitha elementët e një puçi. Por, duhet theksuar se kjo marrëzi e Sali Berishës nuk është në thelb kundër Lulzim Bashës, pasi Bashën në krye të PD-së Sali Berisha e caktoi. Kjo marrëzi është një sfidë e Sali Berishës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas goditjes që i dhanë në maj 2021 duke e futur në listën e zezë si të korruptuar dhe goditjes tjetër në shtator 2021, ku detyruan Lulzim Bashën ta përjashtonte nga partia si ‘delja e zezë’ për Perëndimin.

A do ta falin për herë të dytë amerikanët Sali Berishën siç e falën pas grushtit të shretit të 14 shtatorit 1998?

Të gjitha mesazhet e javëve të fundit konfirmojnë se nuk do të ketë amnisti të dytë. Madje, vetëm 24 orë më parë, zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar paralajmëroi në Tiranë përshkallëzimin e sanksioneve ndaj Sali Berishës./Pamfleti



Më të lexuarat