Prapaskena

Çarja e PD/ Basha mbush sallën Anti-Foltore, Berisha: Kuvendi i 11 Dhjetorit në Air Albania

Publikuar: 09/12/2021

Ky 8 Dhjetor qe rasti që Lulzim Basha të tregojë “sallën e tij” të mbështetësve në PD. Pas muajsh që e akuzojnë se e ka humbur anëtarësinë dhe është mbyllur në studio televizive, Basha është shfaqur tek Arturbina me demokratët që ende e duan në krye të partisë.

Që nga përzgjedhja e folësve në panel, që nga pozicioni që kishte zgjedhur për t’u ulur mes dëgjuesve, që nga fakti se e mori fjalën i fundit u kuptua se takimi ishte konceptuar si një Anti-Foltore.

Mesazhi i parë nuk erdhi nga zërit të fortë të liderit, por nga kori që fliste para kryetarit. Në dallim nga Foltorja, ku në panel qëndron Sali Berisha, në panelin e PD-së së Bashës ishin të ulur shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe historianë, të cilët e sollën 8 dhjetorin përmes mesazheve që shënjestronin konfliktin politik që ka përçarë Partinë Demokratike.

Qartazi, duke iu referuar Berishës që ende këmbëngul të qëndrojë në politikë, Preç Zogaj iu referuar rastit të Polonisë dhe rrugëtimit që pati themeluesi i Solidarnost, Lech ëalesa.

“Polonia ka Solidarnosin, që ishte një sindikatë që e udhëhiqte Les Valesa që për një përiudhë kohe u bë edhe President i Polonisë, ishte protagonist jo vetëm i ndryshimeve politike në Poloni, por ajo është lokomotiva që udhëhoqi ndryshimet demokratike. Ai ishte president, u tërhoq, shkoi në jetën e vet. Ka ndërruar jetë tani, por e bëri misionin dhe ua la të tjerëve. Ja u la stafetën se ky është kuptimi i demokracisë. Demokracia nuk është pronë. Pushteti nuk është pronë. Lidershipi nuk është pronë” tha Zogaj, që më pas kaloi në përçarjen që po ndodh në PD.
“Sot po festojmë të ndarë, nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim. Ka patur raste kur 8 dhjetori është festuar në dy vende paralele, por jo në përmasa si këtë radhë. Jemi në një zhvillim të panjohur për Shqipërinë dhe Partisë Demokratike. Jemi përpara rrethanave dhe ngjarjeve që nuk kanë ndodhur ndonjëherë. PD është përfshirë në një krizë në një turbullirë dhe jemi shqetësuar të gjithë për këtë, jemi të shqetësuar për ne, për ata që nuk mendojnë si ne, që mendojnë kundër nesh, që na shajnë ne sepse nuk kemi tjetër si formacion politik. Ka mbi 8 vjet që nga pozitat e një publicisti pranë PD kam shprehur shqetësim për dy gjëra. E para, PD nuk mund të shkojë në fitore pa zgjidhur dualizmin e lidershipit të saj. Nuk ka parti të djathta që nuk dihet kush është kryetar. Parti që as kryetari nuk bëhet kurrë kryetar dhe as ish-kryetari nuk ikën kurrë nga kryetari, nuk bëhet kurrë. Dualizmi nuk çon në fitore dhe po t’i kesh të gjitha letrat në rregull. Prej vitesh ka patur një pengim nga SHBA për PD, arsyet janë bërë të qarta nga zhvillimet që kanë ndodhur. Do ndodhin të tjera më vonë. Ajo është fuqi e madhe. Nuk ka të ardhme PD që ka lindur si oksidentale dhe të fitojë zgjedhjet si oksidentale. Kjo krizë ka zgjidhur dualizmin dhe ka hequr pengesën amerikane. Për herë të parë SHBA, që përfaqësojnë kornizën e sigurisë së kombit shqiptar, për herë të parë kthehen dhe deklarohen për një bashkëpunim të ngushtë me PD dhe paralajmërojnë dëshirën për të festuar krah saj fitoren, siç ka ndodhur në 1992. Heqja e dualizmit dhe rivendosja e marrëdhënia e ngushtë me SHBA, janë dy premisa të fuqishme. Nuk janë vetë fitorja. Janë dy premisa, pa të cilat, edhe po t’i kesh në rregull të tjerat, nuk fitohet. Duhet të bashkohemi se përballë PD ka vetëm një kundërshtar, qeveria e Edi Ramës” u shpreh Zogaj.

Mark Marku, profesor dhe ish deputet i Partisë Demokratike foli për “vrasjen” që Partia Demokratike u ka bërë studentëve të dhjetorit përgjatë këtyre 30 viteve duke i “heroizuar” ata. Marku tha se fryma komuniste duhet larguar dhe bashkë me të edhe kulti i individit.

“Unë mendoj se dy gjëra kanë ndodhur, të tmerrshme në demokracinë shqiptare. E para Partia Demokratike dhe duhet të jemi kritikë ndaj vetes, e rrëzoi komuznimin dhe e futi komunizmin brenda vetes dhe PD pas kaq vitesh dhe vazhdon ende sot, nuk ka luftuar komunizmin brenda vetes. Sot po vuajmë pasoja. Sot, Partia Demokratike që është partia që të gjithë jemi të lidhur në një fazë me të, PD për mua është pasion, jo interes. Përkundrazi interesi im është të jem sa më larg PD dhe çdo partie. është pasion, sepse megjithë përfshirjen në jetën politike, është gjëja që lindi pas lëvizjes së dhjetorit. Por ndodhi që PD i përkujton shumë heronjtë e dhjetorit, por edhe i ka vrarë. S’kemi pse të jemi heronj ne. Përveç Azem Hajdarit askush nuk është vrarë prej nesh. Nuk duhet të na trajtojnë si heronj. S’duhet t’i kishe trajtu si heronj. S’duhet t’i kishe fut në arkivën e historisë. Duhet që frymën e tyre ta kishe bërë pjesë të vetvetes. Se të vret Partia Demokratike edhe kur ti shkon me frymën e dhjetorit dhe shfaq frymën e dhjetorit. Sepse në momentin që ti flet, ti konsiderohesh armik. Në momentin që ti nuk je dakort me liderin, ti konsiderohesh armik. Ta largojmë frymën komuniste, mënyrën e të menduarit komunist” tha Marku që e quajti mision të Partisë Demokratike rrëzimin e kultit të individit.

Askush nuk beson se do kthehet drejtësia, vetë e duam demokracinë për qejfin tonë, por kur na kthehet demokracia… Lulzim Basha ishte i mirë para shtatorit, pas shtatorit doli njeriu më i keq në botë. Për mua Lulzim Basha është ai që e kam njoft, para shtatorit, pas shtatorit. është i mirë sa ç’jemi ne të gjithë këtu të mirë e të keq. Me komunistat nuk kemi gjë. Me komunizmin kemi punë. Ta largojmë një herë nga vetja, nga PD dhe pastaj…” tha Mark Marku.



Më të lexuarat