Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka njoftuar se Kuvendi po zgjedh kryetarin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili sipas ligjit propozohet nga një grup prej 28 deputetësh. Në njoftim thuhet se nga monitorimi i bërë nga ISP, rezultojnë dy problematika.
E para, Komisioni nuk zhvilloi seancë dëgjimore dhe deputetët diskutuan për një kandidat, pa pasur mundësi të dëgjonin pikëpamjet e tij, përfshirë edhe mbi akuzat që iu bënë nga deputetët dhe pikëpyetjet lidhur me CV dhe të dhënat e tij profesionale.
Ndërsa problematika e dytë ka të bëjë me faktin se në listën e 28 deputetëve nënshkrues që mbështetësin kandidatin, të gjithë janë deputetë të PS dhe kryetarë komisionesh, të cilat duhet të rekomandojnë kandidatë që duhet të jenë 100% të pavaruar.
Njoftimi i ISP-së:
Kuvendi po zgjedh kryetarin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili sipas ligjit propozohet nga një grup prej 28 deputetësh. Nuk ka rëndësi emri, kryetari do të jetë njëri prej anëtarëve të Autoritetit, por shqetësim është praktika parlamentare në raste të tilla. Duke verifikuar dokumentacionin e rastit dhe debatet në Komisionin e Ekonomisë dhe Financat zhvilluar më datë 06.12.2021, komision përgjegjës për zgjedhjen e kandidatit për kryetar, nga monitorimi i Institutit të Studimeve Politike (ISP) rezultojnë së paku dy problematika.
E para, Komisioni nuk zhvilloi seancë dëgjimore dhe deputetët diskutuan për një kandidat, pa pasur mundësi të dëgjonin pikëpamjet e tij, përfshirë edhe mbi akuzat që iu bënë nga deputetët dhe pikëpyetjet lidhur me CV dhe të dhënat e tij profesionale. Madje vendimi për thirrjen ose jo në seancë dëgjimore u rrëzua me shumicë votash. Argumenti që anëtari është votuar nga legjislatura e mëparshme nuk vlen në kushtet e një parlamenti të ri dhe se pozita e përgjegjësia e kryetarit ndryshon nga pozita dhe përgjegjësia e kryetarit të një institucioni. Kuvendi nuk e mundësoi dëgjesën dhe nuk ofroi standardet e transparencës që aplikohen në raste të njëjta në parlamentet e vendeve të BE-së.
E dyta në listën e 28 deputetëve nënshkrues që mbështetësin kandidatin ( i cili duhet të jetë 100% i pavarur!), të gjithë janë deputetë të PS dhe në krye të listës janë vetë kryetari i Komisionit për Ekonominë e Financën, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, nga zv/kryetari i Kuvendit dhe një pjesë të madhe të anëtarëve të Komisionit të ekonomisë, pra të gjithë drejtuesit komisioneve kryesore dhe deputetë të komisionit që monitorojnë Autoritetin e Konkurrencës. Praktika, sipas të cilit deputeti e inicion një kandidat dhe drejton mbledhjen për zgjedhjen e tij (pra të propozimit të tij), apo që drejtues të komisioneve, përfshirë ministra, iniciojnë kandidatë për të cilët do të duhej të kishin një raport shumë më të “ftohtë” institucional. Ndonëse është akt formalisht korrekt me nenet e Rregullores së Kuvendit, akte të tilla bëjnë pjesë tek praktikat negative parlamentare.
Së fundi, vlen të theksohet se vetë fakti se për një institucion që ka fjalën “konkurrencë” në emërtim nuk pati konkurrencë në zgjedhjen e drejtuesit. Një kandidat në garë përbën më shumë emërim sesa zgjedhje!Ky është një rast tjetër që dëshmon nevojën e reformimit të Rregullores së Kuvendit, të praktikave etike në parlament dhe të një qasje të re më reformatore, më transparente dhe më profesionale të Kuvendit në funksion të rolit dhe funksionit të tij kushtetues.