Prapaskena

Gjykata e Lartë rrëzon Apelin që ‘i fali’ 5 vite burg Lulzim Berishës si ‘djalë shembullor’, vendos rikthimin në qeli! Ish-Kreu i Bandës së Durrësit në arrati

Publikuar: 07/12/2021

Bileta e parakohshme e lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruanin atë si “të  dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga Bashkia e Durrësit.

Lulzim Berisha është dënuar me burgim të përjetshëm më 16 janar 2012 për disa krime të rënda si kreu i ish-bandës së Durrësit. Organizata e drejtuar prej tij akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit e Arjan Pajës; Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames.

Më 16 korrik 2014, Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin për burgim të përjetshëm, duke e dënuar Lul Berishën përfundimisht me 25 vjet burg. Vendimi është marrë nga Shkëlzen Selimi, Andi Çeliku dhe Artan Zeneli. Admir Thanza dhe Ardian Dvorani kanë votuar kundra heqjes së dënimit me burgim të përjetshëm. Në vijim, gjyqtarët Tritan Hamitaj, Shpëtime Pitaku, Fejzo Hysi dhe Eda Kaja, në periudha të ndryshime i kishin ulur dënimin Lulzim Berishës.

Dhjetor 2016, gjyqtarët e Apelit në Durrës Arben Vrioni, Anita Mici dhe Petrit Çeno liruan nga burgu ish-kreun e Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha kur këtij të fundit i kishin mbetur edhe 5 vite dënim. Vendimi solli një reagim të fortë edhe nga përfaqësitë diplomatike të SHBA-BE në Shqipëri. Prokuroria nisi një hetim, i cili më pas u mbyll. Nga këta tre gjyqtarë, vetëm Anita Mici arriti të kalonte Vetingut, ndërsa roli i saj për lirimin nga burgu të Lul Berishës është dërguar për inspektim në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Lulzim Berisha aktualisht është në arrati. 



Më të lexuarat