SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes, sa i takon padisë së deputetes të PD-së Grida Duma ndaj Erion Veliaj për shpifje.
Sipas prokurorit Behar Dibra kryebashkiaku s’ka shkelur ligjin dhe s’ka konsumuar elementët e veprës penale të shpifjes.
Gjykata tërhiqet për vendim, i cili do të jepet më 13 dhjetor ora 15.30.
Padia e Dumës ka të bëjë me reagimin e Veliajt, pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike ndaj tij për lidhje me mafien italiane.
“Në reagimin e tij mbas deklaratës zyrtare të Partisë Demokratike, i akuzuari Erion Veliaj nuk paraqiti asnjë argument për të vërtetuar të kundërtën e deklarimeve të personave të përgjuar nga Antimafia Italiane, të cilët e implikojnë atë drejtpërsëdrejti, por zgjodhi të sulmojë në mënyrën më të ulët znj. Grida Duma duke hedhur akuza të pabaza dhe totalisht të pavërteta”, thuhet ndër të tjera në padi.
Më tej, theksohet se Veliaj e ka quajtur Grida Dumën “trafikante apartamentesh”. “E vetmja gjë e paverifikuar për ne mbetet se si Grida Duma u bë investitore pallatesh vite më parë, duke përfunduar në gjyqe për mashtrime dhe duke lënë burgjeve partnerët e saj në biznes”, ka thënë në atë kohë Veliaj, sipas padisë së Dumës.