Glorifikimi i kriminelëve të luftrave të fundit në ish Jugosllabi është një nga politikat e Beogradit të sotëm zyrtar që do të mbajë të përndezur ëndërrën e Serbisë së madhe. Ky është një nga konluzionet e një reportazhi të gjatë të gazetës franceze “Liberation”. E përditshmja e qëndrës së majtë ka në fokus të saj lidhjet e ekstremistëve të djathtë në politikën frënge, e cila shpesh ndikon edhe presidentin Macron me këtë rrymë negacioniste që mbizotëron në Serbi, por në përkthimin e tij eshte përzgjedhur të fokusohet vetëm tek përshkrimi që artikulli i bën dyfytyrësisë së regjimit të Vuçiçit dhe mbështetjet që ai i bën grupimeve nacionaliste. Shkrimi fillon me ringjalljen e imazhit të Mladiçit në kryeqytetin serb: “Fytyra e Ratko Mladiçit, e vizatuar bardhë e zi mbi një mur 2 metra të lartë dhe 4 të gjerë për nder të «kasapit të Ballkanit», të dënuar me burgim të përjetshëm për “gjenocid”, “krime kundër njerëzimit” dhe “krime lufte”, u shfaq më 23 korrik në një lagje tregtare të Beogradit. Kur Libération mbërriti aty (foto sipër), në fillim të nëntorit, e gjeti të shkarravitur me grafite rozë. gazeta pa një burrë, te të tridhjetat, që tregonte shenja respekti para ish-gjeneralit. Aktivistë antifashistë planifikuan ta shembnin muralin disa ditë më vonë, më 9 nëntor. Por policia i pengoi duke ia ndaluar grumbullimin, me justifikimin se nuk e garantonte dot sigurinë e tyre.
Ky preteskt ngjan me një skenë absurde në një vend që kërkon aderimin në BE: policët e mbrojën muralin dhe arrestuan dy aktivistë që gjuajtën me vezë imazhin e kriminelit të luftës. Ministri i brendshëm, Aleksandar Vulin, shkoi aty në mbrëmje, ndërkohë që dy tubime, njëri antifashist dhe tjetri pro-Mlladiç, kishin mbushur rrugët. Ai e cilësoi tubimin e parë “të lig e me qëllim të keq”, shkruan Eva Moysan e dërguara speciale e gazetës në Beograd.