Teksa çmimet e produkteve ushqimore, të veshjeve, të qirave dhe mallrave të tjera po rriten vazhdimisht pas krizës së shkaktuar nga pandemia, përballja me to është më e vështirë për familjet me të ardhura të ulta dhe familjet me ndihmë ekonomike.
Në një kohë që më shumë se 41% e buxhetit të familjeve shkon për ushqime, më shumë se 1/3 e shoqërisë marrin paga deri në 30 mijë lekë, ndërsa ndihma ekonomike sipas Ministrisë së Shëndetësisë është mesatarisht 7.700 lekë për familje. Ndërkohë sipas INSTAT shpenzimet mesatare mujore të një personi në 2020 ishin 46,150 lekë.
INSTAT raporton se nga 26% që ishte totali i të punësuarve që paguhej me pagë minimale në fund të qershorit 2020, ka arritur në 33.5% këtë vit. Në rritjen e nivelit të punonjësve që paguhen me 30 mijë lekë, ka ndikuar rritja e pagës minimale në fillim të këtij viti, nga 26 mijë lekë që ishte vjet shkoi në 30 mijë lekë këtë vit.
Nga ana tjetër është rritur me 2.6% numri i qytetarëve që marrin nga 30-40 mijë lekë pagë mujore, nga 13.5% që ishte ka shkuar në 16.1%. Ndërkohë sipas kalkulimit të shifrave më shumë se 60% e totalit të të punësuarve në vend nuk arrin të kalojë pagën mesatare në vend, që në fund të qershorit ishte 56.710 lekë.
Vetëm 7.8% e të punësuarve vlerësohet me pagë 50-60 mijë lekë në Shqipëri, që është niveli më i ulët historik. Nga ana tjetër numri i qytetarëve të punësuar që marrin nga 60-95 mijë lekë nga 19.9% që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2020, ka arritur në 22.4% këtë vit. Po ashtu është rritur me 0.2% numri i atyre që kanë rroga mes 95-120 mijë lekë, dhe mbi 120 mijë lekë marrin vetëm 5.2% e numrit total të të punësuarve. Konkretisht paga mbi mesataren në vend marrin 31.6% e shoqërisë.
Pagat e ulta në vend, janë në krye të listës së shkaqeve se përse biznesi nuk gjen punëtor, dhe pse shqiptarët kërkojnë të largohen nga vendi.