Prapaskena

Skandal/ ‘Palosi’ 5 policë në lokalin e tij, prokurori Xhevahir Lita dhe gjyqtari i Sami Ujkashi shpëtojnë Abedin Oruçin, i fshijnë 5 akuza të rënda

Publikuar: 04/12/2021

Prokurorë dhe gjyqtarë që nuk kanë kaluar Vetingun vijojnë të marrin vendime të diskutueshme, duke përcjellë mesazhe inkurajuese për segmentet që sfidojnë Policinë e Shtetit dhe ligjet. Më 18 tetor 2021, gjyqtari i Kukësit Sami Ujkashi, me kërkesë të prokurorit Xhevahir Lita, ka pushuar të gjitha akuzat për ish-kryetarin e Këshillit të Qarkut të Kukësit, Abedin Oruçi, i cili ‘turpëroi’ dhe u përlesh me 5 policë, duke i shpëtuar arrestimit.

Në 12 janar të vitit 2021, një grup efektivësh të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës organizuan punën dhe shkuar në ambientin e lokalit të Abedin Oruçit, për ta arrestuar, pasi ishte në kërkim që në tetor të vitit 2020, për akuzat “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” si dhe “Pushtimi i tokës”.Por, grupi prej 5 policësh nuk arriri ta arrestonte ish zyrtarin. Abedin Oruçi dhe grupi i tij prej 11 vetash janë konfrontuar me policët, duke i lënduar dhe penguar të kryenin detyrën. Në një moment, Oruçi ka nxjerrë armën për të qëlluar, por njëri nga efektivët e policisë ia ka hequr nga dora. Oruçi arriti të largohej në momentet e fundit, ndërkohë që ndaj tij kishte nisur një tjetër procedim për armëmbajtje pa leje.

Oruçi u shpall në kërkim, ndërsa konsumoi edhe dy vepra të tjera penale kanosje për shkak të detyrës dhe kundërshtim të punonjësit të policisë. Policia arrestoi 6 të afërm të Oruçit për kundërshtim të forcave të policisë dhe pengim për zbulimin e të vërtetës, ndërsa 5 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.

Çfarë ndodh? Dhjetë muaj më vonë, kryeprokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, befason me një kërkesë për shuarjen e të pestë akuzave për ish zyrtarin Abedin Oruçi, me ‘argumentin’ se Oruçi nuk e kishte kryer asnjë nga veprat penale. Nëse për të tre veprat e mëparshme penale prokurori Xhevahir Lita edhe mund të ketë gjetur ndonjë shkak për të shfajësuar Abedin Oruçin, kanosja që Oruçi i bëri policisë në 12 janar 2021, është një fakt i pamohueshëm.

Në një farë mënyre, kundërshtimi dhe kanosja e policëve është pranuar publikisht edhe nga vetë Oruçi, i cili tha se nuk pranonte që të arrestohej nga policia, për sa kohë çështja e tij ishte në duart e një prokuroreje, tek e cila Oruçi nuk kishte besim.

Çuditërisht, kërkesa e prokurorit Xhevahir Lita për të pushuar 5 akuzat për Abedin Oruçin është pranuar nga gjyqtari Sami Ujakshi. Ky vendim është një mesazh dekurajues për Policinë e Shtetit, e cila herë pas herë përballet me rezistencë, akte dhune dhe madje edhe plumba, gjatë ushtrimit të detyrës.



Më të lexuarat