Në rrugë, lagje dhe në pragun e shtëpive, kudo ku hedh këmbën në qytetin e Elbasanit has në pirgje me mbeturina. Qyteti është zhytur në plehra prej një jave pasi kompanisë së pastrimit, “Victoria Invest”, i ka përfunduar kontrata me bashkinë e Elbasanit.
Paaftësia e bashkisë për të zgjedhur në kohë kompani të re ka bërë që qyteti të mbetet pa pastruar prej një jave. Klisni Lala, Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Elbasanit tha për Report TV se po presin përgjigje nga Agjencia e Prokurimit Publik për kompaninë e re që do të merret me pastrimin e qytetit.
“Jemi në një situatë të pazakontë për shkak se me firmën që pastronte mbetjet urbane ka tërhequr fuqinë punëtore sepse i ka mbaruar kontrata. Bashkia ka vendosur në dispozicion flotën e mjeteve të agjencisë së shërbimeve publike. Ne jemi duke punuar për ta normalizuar situatën, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Po presim përgjigje nga Agjencia e Prokurimit Publik për shpalljen e fituesit të ri. Kompanisë që ishte i ka mbaruar afati i kontratës”, tha ai.
Largimi i “Victoria Invest” ka nxjerr në rrugë 300 punëtorë. Ata kanë protestuar paraditen e kësaj të premteje duke kërkuar rikthimin në punë.
“Ku ti gjejmë lekët tani, kam kredi për të paguar, të dali kryetari i Bashkisë këtu të na sqarojë, të na japin një rrugëzgjidhje. Ça asistence na tregojnë tani? Kemi 30 vite punë”
“Kam vite punë këtu, jemi 300 punonjës që kemi mbetur në rrugë”
“Kemi nga data 24 nëntor e deri sot të papunë, na kanë braktisur sepse firmës sonë i ka mbaruar kontrata dhe bashkia na ka hedhur poshtë”, shprehen ata.
Bashkia e Elbasanit e pranon situatën e pazakontë, por nuk ka ende një përgjigje për punëtorët që paguheshin nga kompania private për pastrimin e qytetit.