Prapaskena

Investigimi / Si përfundoi ARMO në duart e oligarkëve rus, roli i Berishës dhe i famëkeqit Rezart Taçi

Publikuar: 01/12/2021

Protestat e fundit të naftëtarëve të Ballshit për pagat e prapambetura dhe kundër shembjes së uzinës, janë rrjedhojë e një korrupsioni 13-vjeçar me pasurinë e shqiptarëve.

ARMO u privatizua në vitin 2008 nga biznesmeni famëkeq i hidrokarbureve, Rezart Taçi për 128 milionë euro nëpërmjet kompanisë të regjistruar në Zvicër, AMRA Oil. Taçi, sot në kërkim për pastrimin e parave të mafies italiane, e mori ARMO-n nga Sali Berisha, në atë kohë në pushtet. Taçi kishte nisur të financonte gruan e Berishës me para të dyshimta.

Përpara privatizimit të vitit 2008, ARMO ishte një kompani e shëndetshme financiarisht. Kompania nuk kishte borxhe ndaj bankave dhe furnitorëve dhe përveçse punësonte mijëra punëtorë mbi organikë, i paguante shtetit rreth 30- 35 milionë USD në vit nëpërmjet taksave të akcizës, tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore dhe taksës së karbonit.

Operacioni i privatizimit të ARMO u financua nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit.

Pas privatizimit të kompanisë së hidrokarbureve nga AMRA Oil, problemet me mospagimin e taksave dhe tatimeve u shfaqën shpejt.

Ndërsa Rezart Taçi shfaqej në publik si një biznesmen i suksesshëm duke blerë vepra arti në ankande bamirësie dhe duke financuar ndeshje futbolli midis Realit të Madridit dhe Milanit me skuadrën e qytetit të lindjes, Gramozin, ARMO akumulonte borxhe ndaj tatimeve dhe palëve të treta.

Kur kompania u shit në vitin 2013 tek një fond azer investimesh, Heaney Assets Corporation e regjistruar në Ishujt Britanik Virgjin – një parajsë fiskale e njohur, detyrimet ndaj tatimeve arrinin në 73.2 milionë USD dhe kompania ishte e koletarizuar për rreth 47.5 milionë USD në banka.

Në momentin e shitjes tek azerët, ARMO kishte më shumë se 100 milionë USD të pashlyera ndaj palëve të treta.

Megjithë borxhet e ARMO-s,  70% të aksioneve të Rezart Taçit në AMRA Oil iu shitën Heaney Assets Corporation për 35 milionë euro.

Pasi mori kontrollin e kompanisë ARMO në gusht 2013, kompania azere e pezulloi punën për 1 vit dhe më pas lidhi dy marrëveshje kontraktuale me kompanitë Deveron Oil dhe TP&D Oil, për dhënien me qira të rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit.

Pas dhënies me qira të dy rafinerive, për shkak se kompania ARMO mbarte të gjitha detyrimet fiskale, ato ndaj punëtorëve dhe koston për energji elektrike dhe ujë, borxhet e saj u rritën në mënyrë eksponenciale pas vitit 2014.

Një raport i Ministrisë së Energjisë i shkurtit 2016, ntregon që deri në janar 2016, ARMO kishte për të paguar ndaj kreditorëve një shumë prej 595 milionë USD gjithsej.

Ngjashëm me ARMO-n, edhe Deveron Oil edhe TP&D Oil akumuluan borxhe ndaj buxhetit të shtetit. Sipas Ministrisë së Energjisë, në janar 2016 kompania “Deveron” ka pasur për të paguar borxhe prej 81.2 milionë USD. Ndërsa TP&D Oil ka pasur për të likuiduar në atë periudhë 55.2 milionë USD borxhe.

Në një ankand të dyshimtë në tetor 2016, Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh i kalon një banke të nivelit të dytë, për shlyerjen e një kredie.

Banka nga ana e saj ia jep me qira kompanisë Ionian Refining and Trading Co, IRTC.

E regjistruar në Ishujt Virgjin Britanikë, IRTC kishte në krye të Këshillit Mbikëqyrës Mustafa Abu Naba’a- biznesmen domenikan i njohur në arenën ndërkombëtare të tregtisë së naftës dhe Harry Sargeant IV, një biznesmen amerikan nga Florida. Që prej dhjetorit 2016, administratori i IRTC në Shqipëri është emëruar Mitat Sulaj, vëllai i pronarit të kompleksit ‘Taiwan’ në Tiranë, Besnik Sulaj.

Pasi menaxhoi rafinerinë për gati një vit, edhe IRTC u tërhoq si paraardhësit e saj duke akumuluar dhjetëra miliona euro borxhe ndaj shtetit. Pas tërheqjes së IRTC, si pronar i rafinerisë shfaqet një tjetër kompani e regjistruar jashtë vendit, Allum Enterprises.

Nga ana e saj, Allum Enterprises ia kalon në mars 2018 administrimin rafinerinë së Ballshit kompanive Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat janë në pronësi të dy kompanie zvicerane, CFD Conseils Sarl dhe PGFS Pilotage & Gestion S – të dyja të lidhura me avokatin Christophe Darbord.

Darboard nuk është një emër i panjohur në fushën e industrisë së naftës në Shqipëri. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, ai ka shërbyer si administrator i kompanisë ARMO, në periudhën kur kjo e fundit kontrollohej nga  fondi i investimeve nga Azerbajxhani – Heaney Assets Corporation.

Operacionet e kompanisë Tosk Energji në rafinerinë e Ballshit – nga marsi 2018 në tetor 2019, janë financuar nga kompania Gunvor, së cilës më vonë i kanë kaluar 50 % të aksioneve të Tosk Energji.

E themeluar në vitin 2000 nga oligarku rus, Genady Timchenko dhe biznesmeni suedez Torbjorn Tornqvist, Gunvor është kompania e katërt më e madhe në botë e tregtimit të naftës bruto.

Në vitin 2014, për shkak të sanksioneve të vendosura nga SHBA ndaj Timchenkos, ai ia shiti aksionet e tij partnerit suedez, Torbjorn Tornqvist.



Më të lexuarat