Prapaskena

Drejtori i Policisë raporton te ‘Siguria’: 60% më shumë krime këtë vit nga grupet e strukturuara dhe organizatat kriminale mafioze! 30% e vrasjeve, brenda familjes

Publikuar: 01/12/2021

60% më shumë krime nga grupet e strukturuara dhe organizatat kriminale mafioze janë shënuar këtë vit në krahasim me vitit 2020. Kështu tha në Komisionin e Sigurisë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, i cili shtoi se 30% e vrasjeve kanë ndodhur si pasojë e dhunës brenda familjes, ndërsa theksoi se janë rritur urdhrat e mbrojtjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka folur edhe për vrasjen e Mateos Vasiut, 8 vjeç në Grecalli nga fqinji i tij, Klodian Çalamani. Nano tha se ndaj tij ka pasur të dhëna se ka qenë hajdut banesash, dhe nuk ka pasur kallëzim në fushën e abuzimit seksual.

‘Në 16 nëntor u arrestua në flagrancë në Gracalli agresori që kishte groposur një të mitur. Ka pasur të dhëna se ai ka qenë hajdut banesash. Nuk ka pasur kallëzime në fushën e abuzimit seksual.’- tha Nano.

Nga ana tjetër në Komision pati debate mes deputetëve të PS-së dhe të PD-së, në lidhje me urimin e publikuar nga deputeti i PS-së, Bujar Çela me foton e Enver Hoxhës për festën e Pavarësisë, mesazhe të cilat u shkëmbyen pikërisht në grupin e përbashkët të këtij Komisioni. Salianji kërkoi që të distancohen nga fyerjet për viktimat e komunizmit, ndërsa deputeti i PS-së e njëkohësisht kryetari i Komisionit, Nasip Naço tha se do të thirret këshilli i etikës.



Më të lexuarat