Prapaskena

Ndërtuan falas sarajet e Edit dhe pallatin e Lindës; ja sa janë shpërblyer Pandi Carapuli dhe kreu i Gardës, Gramoz Sako

Publikuar: 29/11/2021

Një ndër aktet më ç’njerëzore të dyshes Rama-Carapuli, është pengimi i policisë për të mos proceduar rastin e datës 11 shtator 2021, kur nga pallati 12 kate që po ndërton Pandi te rruga “Faik Konica” në Tiranë, ra dhe u plagos rëndë punëtori 50 vjeçar R.D i cili punonte në të zezë, ndërsa Carapuli për të mos u publikuar në media, urdhëroi që punëtori i plagosur të ngarkohej me vinç e të mbahej i fshehur  në tarracën e pallatit, pastaj të nisej drejt spitalit

Nëse SPAK, do prova konkrete për aferat e korrupsionit dhe përfitimet personale të Edi Ramës si kryeministër, po përmendin pazaret me dy ndërtues të preferuar të tij, të cilët prej 8 vitesh janë në mesin e “tepsisë” së pushtetit.

Njëri është Pandi Carapuli, që i ka ndërtuar falas sarajet në Surrel, për të cilat, paçka se Rama refuzon të publikojë dokumente financiare shpenzimesh dhe deklaron vlerën verbale 390 milionë lekë, thuhet se vetëm kostoja e ndërtimit ka kushtuar 500 mijë Euro.

Pallati i Linda Ramës
Pallati i Linda Ramës

Ndërsa ndërtuesi tjetër është Gramoz Sako, prej 8 vitesh Komandant i Gardës së Republikës, që i ka ndërtuar falas pallatin Linda Ramës, për të cilin thuhet se me gjithë papafingon, parkingun nëntokësor dhe mobilimin, kushtoi mbi 1 milionë Euro.

Sarajet e Surrelit, u ndërtuan mbi tokë të vjedhur nga Linda Rama me akt-blerje e trashëgimie false, ndihmuar nga Fatmira Hajdari me vendim gjyqi, të sajuar mbi dëshmi personash të vdekur; ndërsa pallati i Lindës u ndërtua mbi një lulishte mes pallatesh, po me akt-pronësie toke false.

Për këto dy pasuri, Edi Rama i shpërbleu dhe po i shpërblen ndërtuesit Carapuli e Sako, duke u dhënë tendera, leje ndërtimi pallatesh e resortesh, troje, koncesione e objekte shtetërore falas.

Në vitet 2014-2021, me firmën “Eurocol shpk” e 3 firma të tjera me ortakë, Pandi Carapuli ka marrë 41 milionë Euro troje falas e tendera ndërtimi objektesh shëndëtësore, arsimore, ushtarake, energjie, ujësjellësa etj., pa llogaritur ato që ka marrë në 11 vite kur Rama ishte kryebashkiak. Po kështu, ka marrë 3 koncesione shërbimesh publike pa asnjë qindarkë taksë tatimore-doganore e lokale; si dhe 22 leje ndërtimi për pallate e kulla në Tiranë, Durrës, Vlorë; pa harruar lejen e resortit  “White Rocks” (Shkëmbinjtë e Bardhë) në bregdetin Gjilekë-Himarë, ndërtuar mbi 19 mijë e 100 m2 tokë pronësi shteti të dhuruar nga Edi Rama.

Një ndër aktet më ç’njerëzoretë të dyshes Rama-Carapuli, është dhe rasti i datës 11 shtator 2021, kur nga pallati 12 kate, që Pandi Carapuli po ndërton te rruga “Faik Konica”, ra dhe u plagos rëndë punëtori 50 vjeçar R.D, i cili punonte në të zezë e pa kushte sigurimi teknik.

Për të mos u publikuar në media, Pandi Carapuli urdhëroi që punëtori i plagosur të ngarkohej me vinç e të mbahej i fshehur  në tarracën e pallatit, pastaj të nisej drejt spitalit.

E kështu u veprua në prezencë të policisë, e cila u urdhërua të zhdukte provat, të mos bënte raport për ngjarjen dhe të mos fillonte procedim penal ndaj Pandi Carapulit.

Ndër tenderët pa garë, Carapuli ka marrë 4 milionë Euro për ndërtimin e “Parkut Olimpik”, i cili rezultoi tender me dyfishin e kostos reale, si dhe Kullën e Parkun “Rinia” në Korçë.

Edhe firma ndërtuese “2T Shpk” e komandantit të Gardës, Gramoz Sako, që administrohet nga vëllai i tij Artan Sako, në  vitet 2014-2021 ka marrë 33 milionë Euro për rrugë, objekte arsimore, shëndetësore, energjie, ushtarake, ujësjellësa, diga lumore etj.

Përveçse me firmën “3 T”, ndërtuesi i pallatit të Linda Ramës, merr dhe tendera ilegalë, me ndërmjetësim të firmave “Diteko Shpk” ku ka 10% aksione në ortakëri me oligarkun Rrok Gjoka; si dhe me firmën “ECO CLEANING Shpk”, ku është ortak me Sadri Abazin.

Ndërsa firmën hije “NAVIA Shpk”, që kreu i Gardës e ka 100% në pronësi me vëllain e tij Artan Sako, po e përdor për të fshehur 13 guroret, për të cilat nuk paguan taksa ndaj shtetit dhe nuk zbaton detyrimin për rehabilitimin e afro 50 hektarë zonë pyjore të shkatërruar./Pamfleti/



Më të lexuarat