Sali Berisha vijon të dërgojë mesazhe të koduara në adresë të SPAK, duke paralajmëruar dhe kërcënuar prokurorët e kësaj strukure që të kenë kujdes dhe të mos hapin ndonjë çështje penale ndaj tij apo familjarëve të tij.
Ditët e fundit Sali Berisha ka përsëritur një mesazh të qartë për kreun e SPAK Arben Kraja, duke i kërkuar që të ketë kujdes me dosjet e korrupsionit dhe krimit të Familjes Berisha.
Në fund të aksionit me Foltoren, Berisha ka nisur të deklarojë se ndaj tij dhe fëmijëve të tij në Shqipëri nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë proces penal. Këtë qëndrim Berisha e ka përsëritur disa herë, duke i dhënë një mesazh SPAK se nuk duhet të hapë dosje për familjen e tij.
“Fëmijët e mi, kurrë në jetën e tyre nuk kanë patur asnjë proces gjyqësor për asnjë çështje”, tha Sali Berisha nga Kurbini.
Nga Kuçova dhe Burreli, Berisha përsëriti të njëjtën gjë. Në gusht të këtij viti, Sali Berisha i dha një tjetër mesazh Arben Krajës, i cili duket se është nën presionin e Perëndimit për të hapur disa procese penale për Sali Berishën, fëmijët dhe dhëndrin e tij.
Disa faqe online të Berishës dhe Ilir Metës sajuan në fillim të muaj gusht një lajm sikur hajdutët kishin vjedhur dhe kishin bërë kërdinë në shtëpinë e kreut të SPAK, Arben Kraja, në Gjirin e Lalzit.
Lajmi i sajuar dhe i përhapur me shpejtësi nuk konsistonte se Arben Krajës iu vodh banesa dhe se në Shqipëri ka pasiguri etj., por synonte për t’i treguar opinionit publik se edhe kreu i SPAK ka një shtëpi në Gjirin e Lalzit, i njohur si fshati ku janë mbledhur kokat e korrupsionit dhe oligarkisë në Shqipëri.
Lajmi për vjedhjen ishte i rremë, por është e vërtetë dhe fakt që Arben Kraja ka një vilë në Gjirin e Lalëzit. Pranë banesës së re të shefit të SPAK, kanë sarajet me vlerë miliona euro, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Vilat e Metës dhe Berishës janë një provë krimi. Por, mesazhi ishte i qartë nga Berisha për Arben Krajën: Kujdes me dosjet se jemi komshinj, edhe ti je pjesë banorëve të Gjirit të Lalëzit etj.
Pas shpalljes non grata nga SHBA në 19 maj 2021, për korrupsion madhor, shantazh dhe minim të demokracisë, Sali Berisha ka demostruar shenja paniku nga SPAK.
Dosja e SHBA për Sali Berishën, në fakt është edhe një dosje penale që duhet ta marrë në dorë SPAK. I trembur nga mundësia e hapjes së një çështje penale, Berisha ka deklaruar se Edi Rama mund ta urdhëronte SPAK për të goditur familjen e tij, por Rama nuk e bëri këtë gjë.
Me këtë diversion, Betisha nuk synon të nxjerrë Ramën politikan që nuk hakmerret dhe nuk përdor drejtësinë për të goditur kundërshtarët politikë.
Por, Berisha synon ta paraqesë SPAK si një strukturë që komandohet nga Edi Rama dhe jo që ka lidhje me SHBA, siç është e vërteta. Me këtë mesazh, Berisha synon të krijojë një alibi paraprake mbrojte nëse SPAK e procedon penalisht, duke e shpallur këtë lëvizje si sulm politik. /Pamflet