Prapaskena

109 vjetori i Pavarësisë, presidenti Biden: Shqipëria vend mik, luftoni korrupsionin! I treguat botës mikpritjen me afganët!

Publikuar: 28/11/2021

Në festën e flamurit dhe 109-vjetorin e Pavarësisë, drejtues të lartë të politikës ndërkombëtare nga vende të ndryshme të botës i kanë dërguar urimet e tyre për Shqipërinë.

Presidenti i SHBA, Joe Biden, në një letër dërguar presidentit të vendit Ilir Meta, shkruan se dy vendet kanë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe vlerat demokratike.

Presidenti amerikan shton se ato që ka arritur Shqipëria që nga viti 1991 janë mbresëlënëse, ndërsa shton, se vendi ynë është mik i ngushtë i SHBA dhe një aleat i rëndësishëm i NATO-s.

Ndër të tjera në urimin e tij presidenti Biden thotë se Shqipëria po i tregon botës mikpritjen e saj të madhe duke pritur si dhe duke iu dhënë një strehim të sigurt afganëve në rrezik. Në përmbyllje të letrës së tij, Biden vë dhe një herë theksin tek mbështetja që SHBA ka për Shqipërinë. Biden thotë se duke luftuar korrupsionin, siguroni një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj, si dhe teksa ndiqni të ardhmen tuaj europiane.

Përmes një mesazhi, urimin e tij ka përcjell edhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken i cili ka përgëzuar shqiptarët për 109-vjetorin e pavarësisë. Ai ka kujtuar gjithashtu se miqësia mes dy vendeve daton më shumë se një shekull. Po ashtu përmes një fotografie të uniformës ushtarake të Shqipërisë, në rrjetin social Instagram, NATO i ka kërkuar ndjekësve t’i bashkohen ‘festës’.

Ndërkohë presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe ai i Italisë, Sergio Mattarela kanë uruar Shqipërinë për festën e pavarësisë nëpërmjet mesazheve drejtuar Presidentit Ilir Meta. Të dy krerët e shteteve të mëdha evropiane janë shprehur se mbështesin pa hezitim hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

 



Më të lexuarat