Prapaskena

Berisha-Ramës nga Kurbini: Të paralajmëroj siç bëra me Nanon! Mjerë ti ç’do heqësh, merr ‘Lul pengun’ shko në Beograd! Basha i përshtatshëm për qelitë në Shqipëri e SHBA

Publikuar: 26/11/2021

Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi me tonte të ashpra nga ‘Foltorja’ e Kurbinit se fundi i Edi Ramës është shumë afër, ndërsa për Bashën tha se është i përshtatshëm për qelitë në Shqipëri dhe SHBA duke e akuzuar për dy dosjet, ‘Muzin’ dhe ‘Toyota Yaris’.

Berisha theksoi se Rama mori mandatin e tretë përmes patronazhistëve dhe ishte Basha ai që ja firmosi fitoren, duke menduar vetëm për karrigen e tij, ndërsa deklaroi se paralajmërimin që i ka bërë Fatos Nanos, po ja bën edhe Edi Ramës, se mjerë ai çfarë do heqë. Sakaq, ish-lideri historik i PD i bëri thirrje Ramës të bëjë gati valixhet dhe të niset drejt Beogradit së bashku me ‘Lul pengun’, duke iu referuar kryedemokratit Lulzim Basha.

“Rama mori mandatin e tretë duke nxjerrë të dhënat e shqiptarëve në sistemin e patronazhimit. Rama përdori kriminelë, por peng Basha i cili u zotua të mbrojë votën, nuk e mbrojti atë në 2017, në zgjedhjet e Peshkopisë, i dha fitoren pa marrë pjesë në garë në zgjedhejt lokale. Në 2021 ai u dorëzua, firmosi fitoren e Ramës dhe u mor me karrigen e tij. Këto dëshmojnë se situata në vend është kritike, por është kjo situatë e cila gjëmoi si një thirrje e brendshme në ndërgjegjen tonë, të bashkohemi në një lëvizje të fuqishme për rithemelimin e Partisë Demokratike, për shtrimin e saj në opozitën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Edvin, fundin e ke të afërt, mjer ti ç’do heqësh. Paralajmërimin që i bëra Fatos Nanos, po ta bëj dhe ty në këtë sallë, fatin e tij do pësosh nga gratë dhe burrat e Kurbinit. Bëj gati valixhet dhe nisu në Beograd, mos harro dhe Lul Pengun.”-tha Berisha.

Si jo rrallë herë, Berisha i kërkoi Bashës të japë shpjegime për dosjet të cilat ai akuzohet si i përfshirë. Berisha theksoi se Edi Rama i ka bërë nder Bashës duke mos e çuar në Gjykatën e Lartë dosjen ku Basha akuzohej për larje parash. Sa i përket dosjes ‘Toyota Yaris’, Berisha tha se Basha i ndau paratë me Taulant Ballën ose me klanin kriminal.

“Zoti Basha dil dhe thuaju pak demokratëve për dosjen e Nick Muzin, dosje për të cilën je i përshtashëm për qeli në Shqipëri dhe SHBA. Unë i kam konkrete gjërat. E dini ju çfarë ndodhi me dosjen në apel? Nëse ndonjëri prej jush merr një vendim që s’i përshtatet të drejtës, prokurori e çon nga shkalla në shkallë, e detyron ligji ta çojë në Gjykatën e Lartë. Me urdhër të Edi Ramës, transportuar nga Agaçi, prokurori dosjen ku Basha akuzohej për larje parash nuk e çoi në Gjykatën e Lartë. Thuaju demokratëve Lul pse ta bëri Edi Rama këtë nder? Po të ishe i pastër dosja shkonte atje dhe merrje pafajësi nga Gjykata e Lartë. Po kaq e zezë për ty është dosja Toyota Yaris. Denoncoi në Parlament se do të vijnë 5 mln euro, të ngarkuara në disa Toyota, do vijnë ditën e shtunë, në këtë këtë orë. I them nga e more vesh këtë? Se ishte gjë konkrete, Toyota Yaris, 5 mln euro, më mori një kamarier në telefon, më thotë. I them bërë një gabim të madh, se u the atyre mos ejani se do t’ju arrestojnë. Po ndiqen me GPS, më tha. Mirëpo, megjithëse e morën vesh, ato erdhën ne Durrës, por 1.5 mln euro i përlanë të tjerët, i ndau me Taulantin, se ça ndodhi nuk u mor vesh. Më vonë i thonë gazetarët se t’i Lul shkove dhe bëre fushatë te këta që kishin Toyota Yaris. Vijnë hetuesit belgë për të marrë në pyetje Lulzim Bashën, ai zhduket. I them duhet të shkosh se është shumë e dyshimtë kjo që ke bërë. Nuk shkoi. Tani duhet t’i them këtu se Toyotën e ndave me Taulantin ose klanin kriminal, por pa e zbardhur atë do kesh vështirësi të mëdha. Edi Rama është sot, nesër ikën, t’i do të përballesh me drejtësi për Toyota Yaris”, u shpreh Berisha.

Ndërsa një përgjigje Berisha e kishte edhe për akuzat se ai dhe fëmijët e tij kanë dosje ne SPAK. Nga ‘Foltorja’ e Kurbinitdeklaroi se fëmijët e tij nuk kanë patur kurrë një dosje, për asnjë çështje në gjykatë. Ish-kryeministri theksoi se Edi Rama ka dërguar prej tre vitesh dhjetëra vendime të qeverisë së tij (Berishës) në SPAK, por sipas Berishës të gjitha janë kthyer, se ai ka zbatuar vetëm ligjin dhe nuk ka bërë asnjë shkelje.

“Thonë se kam dosje. Fëmijët e mi s’kanë pasur dosje për asnjë çështje, dhe Berisha kurrë nuk ka patur. Ju bëj me dije se Rama prej tre vitesh ka dërguar me dhjetëra vendime qeverie në SPAK, që të gjitha janë kthyer sepse Sali Berisha ka zbatuar ligjin.”-tha Berisha.

Kur sot jemi dy vite pas tërmetit tragjik të 36 nëntorit, Berisha ka përkujtuar edhe 51 viktimat dhe tha se ishte një krim shtetëror, pasi qeveria i la në mëshirë të fatit banorët e Thumanës pas tërmetit të shtatorit, ku banesat e tyre u dëmtuan, dhe një tërmet më i fortë (26 nëntor) i shkatërroi ato duke ju marrë jetën.

“Viktimat në Thumanë, ishin një krim shtetëror pasi pallatet u bënë të pabanueshme në tërmetin e shtatorit, por një qeveri e papërgjegjshme, që është vite dritë larg qytetarëve, ka si objekt kryesor plaçkitjen e çdo gjëje të qytetarëve. Ndonëse konstatoi se pallatet ishin të pabanueshme, i la banorët e tyre në mëshirë të fatit për tu marrë jetën një tërmet tjetër. Sot për 51 viktima, për shembjen e qindra ndërtimeve jashtë standardeve, para ligjit nuk ndodhet asnjë zyrtar, asnjë qeveritar, dhe kjo është krimi i dytë, i shëmtuar pas braktisjes së tyre. Sot, pas dy vitesh, shumica e banorëve janë pa strehim, të tjerë në Milot janë në çadra. Uroj që paratë e ndërtimeve, në apartamente dhe pallatet e ndërtuara të mos pësojnë fatin e fondeve për ndërtimin e Spitalit Memorial, apo xhamisë në Tiranë, që duket se janë bërë abuzime të mëdha.” – tha Berisha.

Një premtim i papritur i Berishës, ishte kur tha se nëse i madhi Zot e bën të mundur, do të jetë aktiv në politikë deri në moshën 95-vjeçare, pasi më herët ka deklaruar se do ishte aktiv deri në 85 vjeç.

“Ju kisha thënë se këtu do kemi deri sa të bëhem 85 vjeç, por tani u betohem nëse i madhi i madhi Zot e bën të mundur, këtu do më keni deri 95 vjeç”, tha Berisha.



Më të lexuarat