Një nga dëshmitarët e parë okularë të aksidentit të autobusit ‘Besa Trans’ ka treguar për televizionin bullgar Nova për natën tragjike në autostradën bullgare “Struma ‘.
Shoferi Valentin Georgiev udhëtoi nga Sofja për në Blagoevgrad aty ku u përball me tragjedinë. Ai ka treguar se ka parë të mbijetuarit që ishin të mbushur me gjak në fytyrë.
Në fillim mendova se po digjej pylli. Flakët ishin të mëdha. Të mos të gënjej, por zjarri duhet të ketë qenë 2-3 metra i lartë. Kamioni im ishte njëqind metra larg, unë isha i pari. Dhe pas 5-10 minutash erdhi makina e dytë, e tretë, e katërt. Kamionët ishin grumbulluar. Kur dola, dëgjova britma. “Të mbijetuarit po bërtisnin dhe qanin, fytyrat e tyre ishin të mbuluara me gjak’.
Gjëja e parë që pa ishte një burrë, duke u përpjekur të shpëtonte të dashurën e tij.
“Ai bërtiste: “Policë, polici”. Ai mbante vajzën në krahë. Unë mendoj se ai kishte një lëndim në këmbë sepse po çalonte. E çova vajzën në fund të autostradës. Ai ishte zbathur. Vajza kishte e ftohtë, i dhashë një xhaketë për t’u ngrohur më pas ujë’.
Georgiev gjithashtu u shpreh se pa dhe një baba që përpiqej të shpëtonte djalin e tij nga flakët.
“Ai bërtiste se djali i tij ishte brenda. Ai donte të kthehej në autobus, për të shpëtuar djalin e tij. Por unë e pengova. Nga autobusi dëgjoheshin vetëm xhamat e djegur duke u thyer. Aksidenti mesa duket ka ndodhur 10-15 minuta para se të arrija atje. Dhe kur unë mbërrita të gjithë ishin të vdekur. Vrapova në kamion për ujë, për cigare, për xhaketa dhe kur pashë se të gjithë shoferët e tjerë po qëndronin në makinë, u bërtita: le të zbresë dikush dhe të sjellë më shumë ujë”, tha Georgiev.