Prapaskena

Tragjike! Autobusi me pasagjerë nga Maqedonia e Veriut shpërthen në flakë, humbin jetën 46 shqiptarë, mes tyre 12 fëmijë

Publikuar: 23/11/2021

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Bullgari. 46 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kanë ndërruar jetë pasi një autobus u përplas dhe pastaj u përfshi nga flakët.

Autobusi me të cilin ata udhëtonin u aksidentua dhe më pas u përfshi nga flakët, duke i marrë jetën 46 personave, mes të cilëve 12 fëmijë dhe një nga shoferët.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën Struma, 40 kilometra në jug të kryeqytetit Sofje.

7 personat e plagosur, 2 gra dhe 5 burra janë në spital në Sofje dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë pësuar djegie në fytyrë dhe në traktin e sipërm respirator. Sipas mediave bullgare, ata mundën të mbijetonin pasi u hodhën nga dritaret e autobusit.

Autobusi, një nga tre që po udhëtonin në kolonë, ka hyrë përmes pikës kufitare Kapitan Andreevo pak pas orës 21:00, në mesnatë ka ndaluar në një pikë karburanti dhe rreth orës 2.00 ka ndodhur aksidenti tragjik. Autobusi ka thyer rreth 50 metra mbrojtëse metalike të rrugës dhe më pas ka shpërthyer në flakë.

Shkaqet e aksidentit të rëndë nuk dihen ende, ndërsa sipas ekspertëve shkaqet mund të jenë tre: monsfunksionim teknik, një problem shëndetësor që mund të ketë pësuar shoferi që ishte në timon ose përgjumja e tij.

Ministri i Brendshëm në detyrë i Bullgarisë, Bojko Rashkov e përshkroi aksidentin si ngjarjen më të tmerrshme që kishte parë ndonjëherë.

“Pamjet janë të tmerrshme, jo të gjithë mund t’i durojnë. Nuk kam parë kurrë nëj gjë të tillë në jetën time”, tha ai.

Identifikimi i viktimave është i vështirë për shkak se trupat kanë pësuar djegie të mëdha nga flakët.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka mbërriti në Bullgari, për të ndjekur nga afër situatën, teksa u shpreh se ishte i tmerruar nga ngjarja e rëndë.



Më të lexuarat