Prapaskena

Berisha akuzë të rëndë Bashës: Ka ndarë me Taulant Ballën paratë e pista që erdhën me Toyota Yaris

Publikuar: 23/11/2021

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Luzim Bashën sot nga ‘Foltorja’ e Burrelit se ka ndarë me Taulant Ballën parë e pista që erdhën në Durrës me Toyota Yaris. Sipas Berishës, Basha dhe Balla kanë ndarë 1.5 milionë euro.

“Meqë jam sot këtu para jush do ti kthej një përgjigje. 3-5ditë më parë u ankua se po e sulmoj me fjalët e Edi Ramës. Peng Basha nëse Edi Rama thotë një gjë që qëndron, Sali Berisha nuk e mohon kurrë. Është e vërtetë që Edi Rama të ka përmendur ty ‘Toyta Yaris’, por është e vërtetë që e mban peng me atë. Prandaj peng Basha, dil dhe sqaro aferën e Toyta Yaris, ndave apo nuk ndave para me Taulant Ballën me atë aferë. Doli në Parlament tha se të shtunën do të vijnë Toyota Yaris me miliona euro. I thashë ku e dije, më tha që kishte informacione. Eurot erdhën por nuk u kthyen. Prisni, prisni…. Tani Eurot nuk u kthyen mbrapsht, por erdhën direkt në Durrës, erdhën në Durrës 1.5 milionë më pak. Kanë ardhur disa herë hetuesit belg dhe Basha u fshihet. Rama të mban peng dhe unë të kërkoj transparencë dhe demokratët duan transparencë”, tha Berisha.

Nga ‘Foltorja’ e Burrelit, ish-kryeministri Sali Berisha kishte një koment edhe për ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, kur tha se ajo duhet të mos sillet si guvernatore por të respektojë konventat ndërkombëtare të diplomacisë ndërsa nuk la pa përmendur edhe shpalljen e tij non grata, ku deklaroi se sa të jetë Blinken nuk shkel në SHBA, por kohët ndryshojnë.

“Ambasadorja Yuri Kim do bënte mirë të konsideronte në mënyrën më serioze konventet ndërkombëtare dhe rregullat e një vendi. Të mos shfrytëzojë krimet dhe mëkatet e narkosve shqiptarë për të bërë guvernatoren, në një vend, që ka 108 vite i pavarur. Ju e dini, ndaj meje është marrë një vendim, që është unik në botë. Kjo sepse nuk ka njeri në botë që të jetë shpallur non grata dhe që nuk ka në jetën e vet qoftë një akuzë më të vogël apo proces gjyqësor. Nuk ka njeri në botë që të jetë shpallur non grata, tetë vjet pasi është larguar nga çdo lloj funksioni politik që mbante. Nuk ka njeri në botë që është shpallur non grata, tre javë pasi partia e tij humb zgjedhjet. E gjitha është vepër korruptive e mafies që bashkëpunon mes Ramës dhe Soros. Ndaj unë, pa lëkundur besimin tek SHBA, po bëj betejën time. Sa të jetë në atë post sekretari Blinken, unë nuk do shkel në atë vend. Por, koha ndryshon. Por, shumë shtete të Europës nuk besojnë atë vendim, e quajnë të padrejtë. Ata nuk besojnë se dosja e Sali Berishës ka fakte a dokumente. Ky akt kishte qëllim shkatërrimin e opozitës shqiptare për llogari të Ramës, sepse Edi Rama është bir shpirtëror i Soros, për të cilin kam kërkuar të shpallet non grata e kur PD të fitojë, Soros do shpallet non grata”, deklaroi Berisha.

 



Më të lexuarat