Të gjithë gjejnë një justifikim për t’u tërhequr që nga prokurorë, gjyqtarë, avokatë, dëshmitarë dhe ekspertë, kur përballë kanë Dritan Dajtin, i dënuar me 4 dënime për jetë dhe më pas 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve, pas rreth 280 seancave gjyqësore.
Eksperti kontabël, i kontraktuar për vlerësimin pasurive të Dritan Dajtit, për të cilat SPAK ka kërkuar që të sekuestrohen, është tërhequr në mënyrë të befasishme dhe misterioze nga detyra që kishte marrë përsipër.
Eksperti ka hequr dorë nga përpilimi i raportit për pasuritë e Dajtit, me argumentin se e ka të pamundur që të bëjë një vlerësim të tillë për llogari të procesit të nisur nga SPAK në Gjykatën e Posaçme. Kjo tërheqje e dyshimtë është bërë me dije sot gjatë seancës së radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Në këto kushte, GJKKO ka caktuar dy ekspertë të rinj për vlerësimin e pasurive të Dritan Dajtit. Ata janë Luiza Bala dhe Albana Canaj. Dy ekspertët të bëjnë në ditët në vijim betimin përpara gjykatës dhe më pas do të njihen me materialet e dosjes.
Pas betimit, dy ekspertët do të nisin punën për hartimin e një raporti financiar për pronat e Dajtit dhe të familjarëve të tij. Raporti më pas do t’i paraqitet gjykatës dhe SPAK. Mbi këtë raport do të procedohet më tej për pasuritë, duke urdhëruar bllokimin ose jo të tyre.
Më 12 shkurt të vitit 2020, OFL-ja i dorëzoi Dritan Dajtit, formularin e vetëdeklarimit të pasurisë, pasi ishte subjekt i aktit special të qeverisë kundër krimit, si dhe i ligjit anti-mafia.
Disa ditë më pas, OFL-ja referoi në SPAK materialet për pasurinë e Dritan Dajtit. Në 9 qershor 2021, SPAK kërkoi nga GJKKO sekuestrimin e disa prej pasurive të Dritan Dajtit.
Bëhet fjalë për 6 pasuri 3 apartamente, disa shtesa, një godinë shërbimi të përfituara me kontratë dhurimi si dhe aksionet në një kompani.
Me sa duket, edhe procesi i bllokimit të pasurisë, synohet që të pengohet si gjykimi për vrasjen e 4 punonjësve të policisë së shtetit.
Gjatë fazës së gjykimit në procesin penal për vrasjen e 4 punonjësve të Policisë së Shtetit, janë tërhequr nga mbrojtja avokatët e Dajtit, janë tërhequr prokurorët, disa nga dëshmitarët dhe disa prej gjyqtarëve. Tashmë po tërhiqen ekspertët, duke zvarritur vendimmarrjen e gjykatës.
Kush është Dritan Dajti?
I lindur në Tiranë më 17 nëntor 1971 ka qenë një nga personat më të kërkuar në Shqipëri. Ai u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes.
Ne dosjet e prokurorisë dhe policisë, por edhe në Interpolin Europian, emri i tij shkruhej me të kuqe, pasi cilësohej si një nga personat më të rrezikshëm.
Në arkivin e prokurorisë dhe gjykatës “njollosja” e emrit të tij do të realizohej për herë të parë për vrasjen e biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999. Viktima kishte nisur ndërtimin e një pallati në rrugën H. H. Dalliu, por ai ishte konfliktuar me disa persona.
Historia e tij u bë e famshme kur Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm pak minuta para se të fillonte seanca kundër tij.
Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se gjithçka kishte qenë e planifikuar. Dajti mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij.
Me këtë pistoletë, ai iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër. Por nuk ngurroi që pistoletën t’ia drejtonte edhe prokurorit, që në ato moment po bëhej gati për t’u futur në sallën e gjyqit.
Dajti u arratis me pranga në duar, doli nga dera kryesore e gjykatës, u rrëzua një herë, por policia nuk mundi ta neutralizojë.
Ai hipi në një motor, që drejtohej nga një person tjetër, dhe u largua ndërkohë që një person tjetër ende i paidentifikuar, qëlloi disa herë me pistoletë në ajër në anën tjetër të rrugës, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së policisë. Qëndroi 6 vite në arrati.
Me 7 gusht të vitit 2009 u finalizua një operacion për kapjen e tij në Durrës. Punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë, kur ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin, i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqa, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.
Dajti u dënua me 4 vendime të përjetshme pas rreth 280 seancash gjyqësore që zgjatën gati një dekadë.
Por, Gjykata e Apelit vendosi të rrëzonte këto dënime dhe ta dënonte Dajtin me 25 vite burg, duke i hapur praktikisht derën e burg. Kjo vendimmarrje, e cila ka prodhuar reagime të forta deri në nivel ndërkombëtar, por shqyrtohet nga Gjykata e Lartë. / Shqoptarja.com