Prapaskena

Nga vrasja e motrës te konflikti për pronat, çfarë fshihet pas ekzekutimit të biznesmenit në Fier

Publikuar: 24/10/2021

Një ekzekutim mafioz ende pa gjurmë të sakta të autorëve tronditi mbrëmjen e kaluar Fierin. Biznesmeni i njohur në zonë, Demir Backa, 57 vjeç u qëllua në makinën e tij që ndodhej e parkuar para një qendre tregtare në Fier, në një zonë me lëvizje të shumta dhe në një rrugë kombëtare.

Ai ndërroi jetë pak minuta pasi u qëllua nga të paktën dy persona, teksa e kaluara e tij, ka bërë që policia të hetojë në disa pista për të zbardhur krimin e rëndë.

Burime bëjnë me dije se një prej pistave është ngritur mbi një krim të kryer 23 vite më parë. Në vitin 1998, 57-vjeçarit i kanë ekzekutuar motrën dhe bashkëshortin e saj në afërsi të shkollës së Muzikës në Fier.

Pista e dytë që po hetohet është konflikti për një pjesë të lagunës në Lushnjë, në Gotull. Janë rreth 200 hektarë e dhënë me koncesion dhe para disa kohësh ka pasur një konflikt mes personit që e ka marrë me koncesion A.P. dhe Demir Backës.

Pista e tretë është sërish për çështje pronash. Backa ka pasur qindra hektarë tokë të pyllëzuar në Darëzezë dhe në këtë sipërfaqe janë prishur disa objekte të ndërtuara nga banorët. Po kështu mbetet pista e konfliktit me një person me influence në Fier, i cili ishte subjekt i OFL.



Më të lexuarat