Krimi po del jashtë kontrollit. Një ngjarje e rëndë është shënuar pak pas mesnate në Nikël të Fushë Krujës, ku familja e një biznesmeni është terrorizuar nga grabitësit e armatosur dhe me maska.
10 persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në banesë, ku kanë dhunuar biznesmeni Nazmi Çangu dhe i kanë vjedhur atij para kesh dhe sende me vlerë që kapin shifrën e mbi 100 mijë eurove.
10 persona të maskuar e kanë lidhur, dhunuar dhe i kanë prerë gishtin biznesmenit. Ata kanë lënë shumë gjurmë, por ende nuk ka arrestime.
Pasi Çangu ka rënë pa ndjenja, grabitësit kanë marrë nga banesa 8 mijë euro dhe çdo gjë tjetër që ka qenë në kasafortë, përfshirë edhe flori. Vlera totale e sendeve dhe parave që kanë marrë nga banesa përllogaritet deri në 100 mijë euro. Çangu ka mundur të dallojë që njëri nga grabitësit ka qenë i veshur me uniformë policie.
Ai është dërguar në spital ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Çangu ka një biznes në fushën e mobilerisë në Krujë.
Çangu nuk njihet si problematik në zonë dhe nuk ka pasur konflikte në të shkuarën.
Policia Krujë/Informacion paraprak
Më datë 24.10.2021, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur me dhunë një shumë parash në banesën e shtetasit N. Ç.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, po punojnë intensivisht nën drejtimin e Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Krujë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.