Prej disa ditësh Sali Berisha po sjell si provë të bashkëpunimit me Ramën të “pengut” të tij Lulzim Basha, faktin që shumë nga gazetarët dhe analistët pro Rama tani janë rreshtuar në mbrojtje të liderit demokrat. Pikërisht për këtë aludim që mëton të vërtetojë një lidhje okulte mes kryeministrit dhe kryeopozitarit, është përgjigjur me një editorial në gazetën Tema Mero Baze.
Ai ka bërë një historik të luftrave të tij me Berishën dhe aleancave që ka bërë për këtë qëllim duke argumentuar se ai nuk po mbështet Bashën, por është Basha që ka përqafuar idenë e tij: “Tani që Lulzim Basha ka ardhur tek pozicioni im, unë thjesht jam i gëzuar, dhe pse jo, mirënjohës. Të gjithë e kanë një ditë të tyre që e kuptojnë që Sali Berisha është një kriminel. Mund ta kuptojnë për arsye personale, politike, shtetërore apo ndërkombëtare, kjo ka pak rëndësi” ka shkruar Baze.
Ndonëse ajo që thotë gazetari është e vërtetë, pra që Basha u konformua me idenë se Berisha është një minues i demokracisë dhe hajdut i fondeve publike sipas DASH, formalisht lideri demokrat pretendon se ai nuk e ka përjashtuar por vetëm e ka pezulluar përkohësisht Sali Berishën.