Prapaskena

Dalin pamjet brenda pishinës ku u gjetën të vdekur turistët rusë

Publikuar: 20/10/2021

Vijon të mbetet i mbuluar nga misteri vdekja e 4 turistëve rusë në një hotel të Qerretit në Kavajë. Blendi Fevziu publikoi këtë të martë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, foto nga pishina ku familja Burenkova dhe dhëndri i tyre humbën jetën.

“U deklaruan se ishin gjetur të vdekur brenda saunës së zonës SPA më pas rezultoi që nuk kishte asnjë lidhje. Kjo është SPA-ja që ndodhet në katin nëntokësor të një hoteli me 5 yje në zonën e Qerretit. Është pishina. Shiheni dhe madhësinë e saj, dhe sauna me zonën tjetër SPA. Sipas të dhënave që kemi tani, dy persona janë gjetur të vdekur në dy shezlongët këtu në cep, i treti në buzë të pishinës dhe i katërti në shezlongin përballë. Deklarimet e para edhe të punonjësve të hotelit ka pasur kontradikta. Pyetja e parë është se cili ishte profesioni i tyre, me se merreshin? Kush i kishte sjellë në Shqipëri dhe përse pati deklarata kontradiktore”, tha Fevziu.

Trupat e tyre pritet të tërhiqen nga djali i familjes, i vetmi i mbijetuar, i cili në fakt nuk kishte udhëtuar me familjen. Deri më tani grupi hetimor i qëndron asfiksisë dhe helmimit si dy nga pistat kryesore të hetimit, por është ende në pritje të përgjigjeve përfundimtare nga Mjekësia Ligjore.

E të qartë për policinë është që të 4 kanë ndërruar jetë në pak minuta dhe nga i njëjti shkak. Ndërsa Prokuroria e Kavajës ka regjistruar hetimet për “Vrasje”, duke mos përjashtuar deri më tani asnjë pistë.



Më të lexuarat