Polonia akuzon Bashkimin Europian se po e shantazhon në një debat të nxehtë që ndodhi mes kryeministrit Mateusz Morawiecki dhe Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen.
Përplasja pason vendimin e gjykatës kushtetuese polake që rrëzoi disa pjesë të ligjeve europiane, duke deklaruar se ato nuk mund të prevalonin mbi ligjet vendase.
Presidentja von der Leyen tha se Komisioni do të veprojë për të mbrojtur vlerat e BE-së, duke nënkuptuar aktivizimin e një mekanizmi që mund t’i heqë Polonisë të drejtën e votës në BE, e deri te marrja e paralajmërimit për përjashtim.
Si kundërpërgjigje, kryeministri polak e cilësoi deklaratën si “gjuhë kërcënuese” dhe akuzoi BE se po tejkalon kompetencat e veta.
Polakët mbështesin masivisht qëndrimin në BE, sipas sondazheve, por qeveria e djathtë në pushtet është përplasur vazhdimisht me BE prej 2016 në lidhje me të drejtat e komunitetit LGBT dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Përplasja e fundit lidhet me vendimin e gjykatës kushtetuese polake, që në thelb rrëzon një prej parimeve kryesore të BE-së, që është ai i prevalimit të ligjit të unionit mbi ligjet vendase të shteteve anëtare.
Çështja u shtrua për gjykim në kushtetuese nga kryeministri polak dhe kjo ishte hera e parë që udhëheqësi i një vendi anëtar vë në pikëpyetje traktatet mbi të cilat funksionon BE në gjykatën kushtetuese vendase.
Komisioni Europian paralajmëroi se ka tre rrugë për t’iu përgjigjur sfidës polake. Së pari, apelimi në gjykatat e BE të vendimit të gjykatës kushtetuese polake, së dyti pezullimi i të gjitha fondeve të BE për Poloninë dhe së treti pezullimi i së dretës së votës dhe të drejtave të tjera që gëzojnë vendet anëtare, ku nuk përjashtohet as lëvizja e lirë.