Prapaskena

Si u vra ‘ushtari’ i Aldo Bares? 38-vjeçari dyshohet se u rrëmbye dhe më pas u ekzekutua. Trupi i pajetë u identifikua nga nëna e tij

Publikuar: 18/10/2021

Një ish-anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjës dhe një nga njerëzit më të besuar të kreut të saj, Aldo Bares, u gjet i vrarë paraditen e së dielës në zonën e Elbasanit.

Alban Semaku, 38 vjeç, banues në Lushnjë, u gjet i vdekur në lagjen “Çezmë” në afërsi të lumit Shkumbin në zonën e Peqinit. Mbi të ndjerin janë qëlluar të paktën dy plumba që kanë qenë fatalë për të. Që në momentet e para kur u gjet trupi i pajetë i tij, Policia dyshoi se bëhej fjalë për një vrasje të mirorganizuar dhe se viktima nuk ishte banor i zonës. “Në lagjen Çezmë, Peqin, në afërsi të lumit Shkumbin, është gjetur i vrarë me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, një shtetas rreth 45 vjeç, ende i paidentifikuar. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë krehjen e zonës”, tha Policia në njoftimin e parë. Për shkak të së kaluarës së tij, Semaku kishte ndryshuar edhe emrin, pasi deri në vitin 2011 mbante emrin tjetër Elton Mermali. “Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për verifikimin e identitetit të shtetasit të vrarë me armë zjarri, i cili është gjetur në afërsi të lumit Shkumbin, në lagjen Çezmë, Peqin, pas verifikimeve të kryera, rezultoi se ishte shtetasi Alban Semaku, 38 vjeç, banues në Lushnjë, i cili deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali”, sqaroi Policia e Elbasanit në reagimin zyrtar në orët e pasdites së ditës së djeshme.

VRASJA

Pavarësisht kohës që kalon, hakmarrjet ndaj anëtarëve të ish-bandës së Lushnjës duket se nuk kanë përfunduar. Ndërsa ende nuk dihet se kush e kreu vrasjen e 38- vjeçarit dhe kush e porositi atë, kryerësit e krimit e kishin menduar mirë ekzekutimin. Alban Semaku është gjetur në një zonë të pabanuar pranë brigjeve të lumit Shkumbin, duke bërë që të mos ketë dëshmitarë për ngjarjen e rëndë. Viktima është qëlluar me të paktën tre plumba, me njërin prej të cilëve është qëlluar në pjesën e kokës, ndërsa dy plumbat e tjerë e kanë kapur atë në pjesën e shpinës dhe të brinjëve. Burime për gazetën bëjnë me dije se Semaku është vrarë me armë zjarri tip pistoletë me kalibër 9 mm.

RRËMBIMI

Alban Semaku dyshohet të jetë vrarë mbrëmjen e së shtunës në zonën e Elbasanit. Ndërkohë që ai banonte në Lushnjë dhe kishte pak muaj që ishte liruar nga Burgu i Peqinit për të tjera vepra penale, burimet bëjnë me dije se Semaku dyshohet të jetë rrëmbyer në qytetin e tij dhe është transportuar nëpërmjet fshatrave për në zonën e Peqinit, ku edhe është vrarë me armë zjarri në një zonë midis dy qyteteve. Ai është ekzekutuar me një plumb në kokë dhe dy të tjerë në brinjë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Semaku dyshohet të jetë vrarë në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës në zonën e Peqinit. Trupi i pajetë i 38-vjeçarit u pikas në orët e mëngjesit të së dielës nga tregtarë të gjësë së gjallë, të cilët lajmëruan më pas edhe Policinë lokale. Ndërkohë, identifikimi i viktimës është kryer pas disa orësh, pasditen e së dielës. Ka qenë nëna e 38-vjeçarit ajo që ka bërë të mundur identifikimin e trupit të pajetë të të birit. Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi dhe një grup prokurorësh u kthyen sërish ne vendin e ngjarjes gjatë orëve të pasdites së djeshme për të mbledhur provat materiale.



Më të lexuarat