Prapaskena

Përse kryeprokurori Olsian Çela po del kundër reformës në drejtësi, të mbështetur nga SHBA?!

Publikuar: 15/10/2021

Reforma radikale në drejtësi dhe ngritja e strukturave të reja, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e ka zhveshur nga kompetencat Prokurorin e Përgjithshëm në Shqipëri.

Duke qenë se ligji aktualisht i njeh vetëm kompetenca administrative, Olsian Çela po tenton forcimin e pozitave të tij si kryeprokuror përmes kontrollit të drejtuesve të prokurorive në rrethe.

Me një lëvizje në thelb kundër reformës në drejtësi, kryeprokurori kërkon që të rimarrë kompetencat e emërimit të drejtuesve të prokurorive në rrethe, kompetenca që reforma ia njeh vetëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë raportimit vjetor, kryeprokurori Çela shpalli hapur ambicien e tij për të “futur duart” në sistemin e drejtësisë, duke kërkuar rikthimin e kohës së Prokurorëve të Përgjithshëm me fuqi të centralizuara.

Nisma që rrëzon një prej investimeve më të mëdha të ndërkombëtarëve dhe të gjithë përpjekjet për një drejtësi të pavarur, nuk u mirëprit nga KLP.

Pavarësisht se mundësitë që ambicia e kryeprokurorit të bëhet realitet janë thuajse zero, shqetësuese është tentativa e tij për të minuar reformën.

Po përse Olsian Çela kërkon të emërojë drejtuesit e prokurorive?

Përmes kësaj tentative, Olsian Çela kërkon të ketë nën kontroll dosjet e zyrtarëve të shtetit, për rastet e shpërdorimit të detyrës. Të gjitha kallëzimet që depozitohen në SPAK, nëse nuk janë kompetencë e këtij institucioni, atëherë transferohen në prokuroritë e rretheve.

Kjo ka ndodhur me shumë dosje të bujshme, ku hetimet për politikanë të ndryshem janë transferuar në prokuroritë e rretheve.

Aktualisht, vepra penale për “ shpërdorim detyre” e një zyrtari shtetëror, nuk shqyrtohet nga SPAK, por nga prokuoritë e rretheve.

Kjo është edhe arsyeja që kryeprokurori Olsian Çela kërkon kontrollin e prokurorive të rretheve, që të ketë pushtet mbi shume dosje që shkarkohen nga SPAK.

Kompetencat e munguara dhe takimet shëtitëse

Kjo nuk është hera e parë, që Olsian Çela tenton të ndikojë sistemin e drejtësisë. Përpjekjet e kryeprokurorit për të rritur rolin e tij dhe për të zgjeruar kompetencat, janë parë edhe në takimet e tij shëtitëse në të gjithë Shqipërinë.

Shpesh kryeprokurori zhvillon takime me prokurorët e rretheve dhe ben thirrje për hetime për ngjarje të caktuara, ndërkohë që kompetencat e tij janë të kufizuara, dhe pa asnje ndikim mbi prokurorët.

Sipas ligjit të reformës në drejtësi, prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë të drejtë në hetim. Më konkretisht, ligji nr. 97/2016, i njeh Prokurorit të Përgjithshëm vetëm të drejta Administrative.

Neni 38 është i vetmi nen që parashikon të drejtat dhe detyrat e Prokurorit të Përgjithshëm, por në asnjë rresht të tij nuk përmendet fjala “hetim”.

Sipas ligjit, Olsian Çela jo vetëm që nuk mund të ndërhyjë në hetimin e një çështje të caktuar, por nuk ka të drejtë të ketë dijeni as mbi detajet e hetimit.

Ndaj çdo tentativë e Olsian Çelës është haptas një goditje ndaj reformës së inicuar nga amerikanët, reformë që garanton pavarësinë e çdo prokurori.



Më të lexuarat