Ish-drejtori i KESH, Gjergj Bojaxhiu është përfshirë në një debat të ashpër me drejtorin aktual të OSHEE, Adrian Çela. Fillimisht, Bojaxhiu e cilësoi emergjencën energjetike në Shqipëri një keqmenaxhim nga ana e kompanisë OSHEE.
Më pas debati ka kaluar në akuza, ku Bojaxhiu deklaroi se drejtor për blerjen e energjisë është kunati i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako një person i shpallur “non grata” nga SHBA.
“Kjo është më shumë krizë financiare dhe keqmenaxhimi, se sa krizë energjetike. Drejtori i drejtorisë që menaxhon blerjen e energjisë elektrike është kunati i Vangjush Dakos, ish-mekanik, shitës dyqanesh celulare dhe tani menaxhon gjithë ato miliona që ne po flasim. Kjo është transparenca. Basha ja futi kot sepse edhe sikur të ketë keqmenaxhim dhe korrupsion, kjo nuk vërtetohet nga fakti nëse shitet energjia më lirë në verë apo blihet më shtrenjtë në dimër. Nuk bën sens dhe nuk ndihmon qytetarët që të edukohen. Ngërç në nivel evropian dhe aziatik sigurisht që ka. Por mënyra se si përdoren këto fakte është tërësisht e deformuar. Ky është viti i dytë me prodhimin më të lartë energjisë elektrike në Shqipëri, që nga 2009 dhe deri më sot. Sa më i lartë prodhimi vjetor, aq më i ulët importi dhe aq më pak të prek kriza. Atë energji që në pranverë e shet, mund ta depozitosh duke bërë marrëveshje me të tjera kompani rajonale dhe e merr mbrapsht më vonë. Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria nivelin e humbjes e ka shumë të lartë edhe pse janë bërë miliona euro investime nuk kemi arritur objektivin”, tha Bojaxhiu.
Çela i është kundërpërgjigjur këtyre akuzave me një raport të KLSH-së, i cili referon disa shkelje që janë bërë në kohën kur Gjergj Bojaxhi ka qenë drejtues i Kesh dhe zv.ministër.
Sipas administratorit të OSHEE, Bojaxhiu është hetuar edhe nga Panama Papers, akuza të cilat, ky i fundit i hodhi poshtë.
“Dua t’i përmend z.Bojaxhi një raport të tmerrshëm të KLSH-së, i cili citon se për blerjen e energjisë, zotëria ka lidhur kontratë për blerjen e energjisë dhe ka bërë garë pasi ka filluar lëvrimin e energjisë elektrike, pastaj ka bërë garën dhe kontratën. Vetëm në kohën e këtij zotërisë këtu kam parë, drejtori i importit të blerjes së energjisë i të cilit u bë përfaqësues i një prej tregtarëve që shiste energji në Shqipëri, pas akuzave që ishin bërë për shkelje. Zotëria ishte zv.ministër i energjetikës dhe një ditë më pas u bë aksioner i Petroliferës rumune. Kush është hetuar edhe për Panama Papers nuk jam unë, as kunati që u përmend, por zotëria që qesh. Ne blerjen e energjisë e kemi bërë në mënyrën më transparente dhe të merret referimi që bëhej me zarf dhe me negocimi me telefon në 2009-ën dhe ishin humbjet aty ku ishin dhe niveli i arkëtimeve në mënyrën më skandaloze dhe sot pas 7 vitesh shqiptarët e kanë harruar atë kohë, sepse sot shqiptarët hallin e fundit që kanë në sondazhet që bëhen, energjia është e 23-ta. Kjo falë reformave të suksesshme që ne kemi bërë”, tha Çela.