Prapaskena

Mediat serbe: Biden e ka bindur Vuçiçin të njohë Kosovën në 2022

Publikuar: 03/10/2021

Mediat nacionaliste serbe kanë publikuar sot tituj të fortë që theksojnë se vitin e ardhshëm SHBA i ka vënë kufirin e fundit Aleksandër Vuçiçit që të njohë Kosovën.

Ndërkaq, vetë Presidenti i Serbisë, ka deklaruar nga Beogradi, pas largimit të barrikadave në Jarinjë e Brnjak, se “po luftojmë me shpirt ndër dhëmbë, Kosovën e njohin 90% e shteteve. KFOR-I nuk na pëlqen se na ka bombarduar, por më mirë NATO se njësitë special të policisë së Kosovës”. Ndërkaq, tabloidi “Novosti”, ka publikuar lajmin e fortë mbi titullin: “Biden mbyll Kosovën në 2022”.

Duke ju referuar burimeve diplomatike, gazeta serbe thekson se angazhimi i diplomatit amerikan Gabriel Escobar, i cili, luajti një rol kyç në arritjen e një marrëveshjeje për qetësimin e krizës në Kosovën veriore të enjten, është një konfirmim tjetër i vendosmërisë së Uashingtonit.

“Novosti” thekson se kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara tashmë kanë dërguar paralajmërime serioze drejtuesve shqiptarë në Kosovë që të mos ndërmarrin veprime që do të rrezikonin sigurinë.

Sipas gazetës serbe, Prishtinës i është bërë e qartë se, edhe pse moratoriumi njëvjeçar i parashikuar nga Marrëveshja e Uashingtonit mbi lobimin për njohje të reja, pra tërheqje të njohjes së Kosovës, ka skaduar – ai ende duhet të mbetet në fuqi.

Kjo u konfirmua nga vetë Escobar, i cili nga Brukseli, pasi arriti një marrëveshje për targat serbe, tha se ishte e rëndësishme të respektoheshin angazhimet e marra në Shtëpinë e Bardhë shtatorin e kaluar: jepni dialogut një hapësirë ​​për të adresuar më gjerë çështjet.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i ri i Departamentit të Shtetit për Ballkanin gjithashtu konfirmoi afatet në të cilat mbështetet Uashingtoni në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për të cilat spekulohet në qarqet diplomatike: “Ne do të punojmë nga të dy palët, do të koordinojmë ngushtë jo vetëm me të Dërguarin Special të BE -së për Dialog, por edhe me partnerët tanë të Quintit. Vlerësimet e mia janë se do të ketë përparim të madh në vitin e ardhshëm”- tha Ecobar, i cili kishte deklaruar më herët se plani i SHBA ishte zgjidhja e çështjes së Kosovës gjatë mandatit të parë të Biden.

Predrag Rajiç, nga Qendra për Stabilitet Social, thekson për “Novosti” se amerikanët nuk duan të marrin pjesë zyrtarisht në negociatat e udhëhequra nga BE, por se ata janë gjithmonë aty kur një situatë duhet ndryshuar:

“Edhe këtë herë ata reaguan duke ushtruar presion mbi Prishtinën, pasi synon të llastojë Beogradin për të njohur Kosovën. Ndërkaq, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka theksuar se amerikanët ja kanë “bombarduar” kokën që ata e duan të mbyllur çështjen e Kosovës. Sot ka reaguar edhe Kisha ruse, e cila ka sulmuar shqiptarët, duke i konsideruar si “armiq të ortodoksëve”|.

Deklaratën e bën të ditur ‘Sputnik’, duke cituar Kreun e Departamentit për Marrëdhëniet me jashtë të kishes ruse, Mitropolitin Hilarion i Volokolamsk.

“Në Kosovë janë faltoret kryesore të Kishës Serbe, manastire madhështore me afreske unike. Ne jemi shumë të shqetësuar për fatin e manastireve dhe afreskeve, por ne jemi më të shqetësuar për fatin e popullsisë serbe në Kosovë. Shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje politike që nuk do të jetë e njëanshme, por do të kënaqë të dyja palët”, tha metropoliti për televizionin Russia 24.

Sipas mitropolitit, Kisha Ortodokse Ruse ka mbështetur vazhdimisht Kishën Ortodokse Serbe dhe interesat e saj në të gjithë territorin e saj kanonik historik, përfshirë Kosovën.



Më të lexuarat